Ka shkuar në dy numri i të infektuarve aktivë me Covid-19 në Durrës, pasi nga testimet e kryera gjatë 24 orëvë të fundit ka rezultuar një rast i ri.

DurrësLajm” mëson se bëhët fjalë për një zonjë rreth moshës 40 vjeçe, punonjëse në një fasoneri.

Nga të dhënat, mësohet se gruaja është rast i referuar nga mjeku i familjes, ku ishte paraqitur për të kryer një vizitë. Pas dyshimeve, është kaluar rasti te Shërbimi Epidemiologjik dhe pas marrjes së tamponit ka rezultuar pozitive.

Aktualisht ajo është vetëizoluar në shtëpi dhe paraqitet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa i është marrë tamponi dhe familjarëve të saj (bashkëshortit dhe djalit), të cilët kanë rezultuar negativë. Por pavarësisht kësaj, ata janë të detyruar të gjithë të qëndrojnë në vetëkarantinim.

Rasti në fjalë banon po në zonën e Plazhit, por nuk ka lidhje me të infektuarin tjetër aktiv që është në Durrës, po një i moshuar 71 vjeç nga lagjja nr.13, pasi nuk ka pasur kontakte dhe as njohje me të.

Janë marrë 27 tampone në fasonerinë me vendndodhje në Shkozet, e teksa pritet përgjigja për punonjëset e tjera, vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rastit.

Edhe për 71-vjeçarin vazhdon ende hetimi epidemiologjik në terren në lidhje me gjurmimin e infektimit, teksat dyshimet janë për transmetim komunitar.

S.L.