Mjeku i njohur urolog Artan Koni, i specializuar në transplantin e veshkave, do të kryesojë listën e kandidatëve për deputetë të Nismës #Thurje në qarkun e Durrësit.

Pas studimeve në Turqi dhe Belgjikë dhe një eksperience pune disavjeçare në këto vende, ai është kthyer në Tiranë së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e vogël, ndërsa punon pranë disa spitaleve private.

Pak ditë më parë, ai u prezantua nga Endri Shabani i Nismës #Thurje si një mjek shumë guximtar dhe me integritet.

“Mjeku Artan Koni, MD do të jetë kandidat për mandatin e deputetit në qytetin bregdetar të Durrësit. Ai ishte i pari mjek që denoncoi abuzimet me tenderat dhe PPP- të që u dhanë në sektorin e shëndetësisë, e sidomos ai i sterilizimit të paisjeve mjekësore.

Ky denoncim do të ishte edhe dosja e parë për gjyqtarët e SPAK. Dosje kjo e cila fle ende në sirtaret e pluhurosura të drejtësisë së re, por me zakonin e vjetër. Mosndëshkueshmëria është dëmi më i madh që po u bëhet sot Shqipërisë dhe shqiptarëve”,- tha Shabani gjatë fjalës së tij.

Sipas Shabanit, mjeku Koni “ka si vizion mbështetjen dhe inkurajimin e bluzave të bardha për të qendruar në vendin tonë, e për t’u përballur me shantazhet dhe kërcënimet se mund të ikësh nga vendi i punës nëse shprehesh kritike ndaj qeverisë. Koha e ka treguar se shumë mjekë e infermierë kanë zgjedhur Europën për të punuar pasi në spitalet tona ata nuk trajtohen dhe nxiten nga qeveria, por skllavërohen”.

Mjeku Koni ka qenë shpeshherë pjesë e paneleve në studiot televizive, jo vetëm në kohën kur denoncoi koncesionin e sterilizimit të paisjeve mjekësore, por edhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Kirurgu Artan Koni është i martuar me një kolege të tij, doktoreshën Senera Hoxha, e njohur si mjeke e specializuar per kirurgjinë plastike. Koni dhe Hoxha janë prindër të vajzës Selen Tana.

Kandidati për deputet i Nismës #Thurje në qarkun e Durrësit, kërkon votën e qytetetarëve më 25 prill për t’u bërë më pas “zëri i tyre në parlament, por edhe për të nisur një shpresë të re. Shpresë e cila do të ndëshkojë klasën e vjetë politike dhe do t’u besoi më tepër profesionistëve dhe intelektualëve të këtij vendi”.