Mjekja Rushen Golemi njihet si e para kirurge femër në Shqipëri.

E lindur në Durrës më 16 korrik 1935, Rusheni është vajza e Mahmut Golemit, i njohur si prefekt në shumë qytete të Shqipërisë, por edhe si Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë.

Për Rushenin është realizuar edhe një dokumentar në vitet ‘70-‘80, si kirurgia e parë femër në Shqipëri, ndërsa ka qenë dalluar për aktivitete sportive, sidomos në volejboll dhe atletikë.

Rushen Golemi do të ishte ndër të parat studente të degës së mjekësisë.

“Nga Durrësi shkuam vetëm dy gjimnazistë. I gjithë fakulteti kishte vetëm 48 studentë nga të cilët vetëm 8 vajza. Në fund përfunduam shkollën 61, sepse disa studentë u kthyen nga jashtë dhe na u bashkuan rrugës. Pedagogët i kishim thuajse të gjithë nga Rusia, ndërsa shqiptarët ishin asistentë të tyre”,- rrëfente ajo vite më parë në një intervistë për një të përditshme.

Ajo ju përkushtua profesionit të mjekes kirurge dhe operacionin e parë e ka kryer në vitin e katërt të faluktetit.

Në vitet ’90 ajo u angazhua në politikë dhe u zgjodh deputete e PD-së në vitin 1992. “Ndërkohë që u angazhova në politikë, vazhdoja të isha kirurge, pasi si deputetë ne nuk kishim as rrogë. Si familje me “njollë në biografi”, ne u përfshimë menjëherë pro ndryshimit të sistemit komunist. Për shkak të shumë viteve punë si kirurge, mua më njihnin të gjithë. Shumë prej tyre që u anëtarësuan në Partinë Demokratike i kisha pasur ose studentë ose pacientë”,- rrëfente ajo.

Rushen Golemi ishte nëna e tri fëmijëve, e dy binjakeve Inis dhe Iris, si dhe e djalit Konstandin, ndërsa ka 7 nipër e mbesa.