Tërmeti i 26 nëntorit në Durrës shembi disa hotele dhe pallate, duke lënë pas një bilanc tragjik, 23 jetë të humbura. Përtej dhimbjes së shkaktuar prej viktimave të pafajshme të kësaj fatkeqësie natyrore, pyetjes që ka nisur të shtrohet tani, 6 muaj pas tërmetit, askush nuk di t’i japë përgjigje. Ose më saktë shumë pak persona mund t’i japin përgjigje pyetjes një milion dollarëshe: Çfarë do të ndodhë me trojet ku më parë ngriheshin godinat e shembura, apo ato që presin të shemben në ditët dhe javët në vijim?

Në bashkinë e Durrësit, askush nuk jep përgjigje për këtë pyetje. Ose më saktë, bashkia shprehet se mbështet kërkesën e banorëve të pallateve që do shemben, që shtëpitë e reja t’u bëhen në po të njëjtin truall, por vendimmarrja nuk i takon asaj!!!

Hapësirat ku më parë ngriheshin hotelet Vila verde, Lubjana, Tropikal, Mira Mare, apo pallatet tek lagja nr.6 dhe nr.18 kanë mbetur po njësoj. Prej tyre janë larguar vetëm mbetjet inerte, ndërsa territoret e rrethuara të kujtojnë ndërtimet abuzive që ngriheshin aty, e që u shkërmoqën natën e 26 nëntorit 2019.

Deri më tani, vetëm tek pallati 6-katësh në lagjen nr.18, që u shemb duke u marrë jetën 7 personave dihet që do të ngrihet një obelisk përkujtimor. Por edhe kjo duhet marrë me rezervë, sepse plani i detajuar vendor për këtë zonë nuk kaloi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 20 maj dhe projekti mund të pësojë ndryshime.

Dihet me siguri të plotë që pallati i Vipave në qendër të Durrësit, pallati 12 katësh i Kastratit në lagjen nr.17 dhe një pallat tek Fusha e Rërës në lagjen nr.18 do të shemben, por askush deri më tani nuk u ka thënë banorëve se do të strehohen po aty. E njëjta histori edhe me pallatin 1062, në lagjen nr.7 që u shemb javën e kaluar. Banorët u nxorrën nga shtëpia dhe u strehuan në një sistemim provizor me qira. Nëse i pyet se ç’do të ndodhë me truallin ku ngrihej pallati i tyre, ata ngrenë vetëm supet lart. Nuk dinë asgjë…

Prandaj pyetja që duhet të shtrohet në Durrës është: Çfarë do të ndodhë me trojet e mbetura bosh?

Durrësi është betonizuar në këto 30 vite demokraci duke i masakruar vijën bregdetare, kurorën e gjelbërt të qytetit dhe arkeologjinë. “Lufta” që po bëhet me pallatet e dëmtuara rëndë nga tërmeti për shembjen ose jo të tyre është dëshmi e përpjekjes për t’i gllabëruar qytetit bregdetar “llokma” të tjera për trualle ndërtimi.

Kush do të përfitojë nga këto troje të mbetura bosh mbetet sërish pyetje 1 milion dollarëshe…

M.B.