16 punonjëse të një rrobaqepsie në Durrës u helmuan mëngjesin e kësaj të marte. Punonjëset, midis së cilave edhe një grua shtatzënë, u paraqitën në urgjencën e spitalit pasi janë ndjerë keq dhe kishin marrje mendsh e të vjella.
“DurrësLajm” sjell pamjet e fasonerisë ku u regjistrua rasti, e cila ndodhet në zonën e Fllakës.
Kjo është hera e parë që shënohet një incident i tillë në fasonerinë në fjalë, ndërkohë që raste të ngjashme janë regjistruar edhe dy herë të tjera në fasoneri të ndryshme gjatë vitit 2018, po në Durrës.
Sipas burimeve nga policia e Durrësit, dyshohet se helmimi i sotëm ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazrave në tubin e aspirimit, që nxjerr jashtë gazrat e kaldajës së hekurosjes. Ndërkohë, vijon ende puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Informacioni paraprak i policisë:
Sot kanë shkuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, 16 punëtore të një rrobaqepësie në afërsi të mbikalimit të Fllakës. 9 prej tyre dolën nga spitali pasi morën ndihmën e parë, ndërsa 7 shtetase ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Paraprakisht dyshohet se shkak ishte rrjedhja e gazrave në tubin e aspirimit, që nxjerr jashtë gazrat e kaldajës së hekurosjes. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.