Pas deklaratës së anëtarit të Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili akuzoi Policinë e Shtetit për moszbatim të një urdhri të SPAK për kontrollin e tregut në Elbasan, ka ardhur reagimi zyrtar i Policisë.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit mohon çdo akuzë dhe thekson se ka zbatuar gjithmonë detyrat e saj konform ligjit, duke u shprehur se është një institucion i baraslarguar nga subjektet politike, me fokus të vetëm zbatimin e ligjit dhe garantimin e rendit publik.
“Policia e Shtetit shpreh indinjatën e thellë për përpjekjet e përfaqësuesve të PD-së për të përbaltur punën tonë, e cila vlerësohet çdo ditë nga partnerët ndërkombëtarë,” thuhet në reagim.
Institucioni shton se çdo punonjës policie që shkel ligjin do të përballet me masa të rënda ndëshkuese, përfshirë edhe largimin e menjëhershëm nga radhët e Policisë.
Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme, Policia garanton se do të mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë gjatë fushatës dhe paprekshmërisë së votës, ndërsa i bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave politike.
Këlliçi, në deklaratën e tij nga selia blu, akuzoi Policinë se ka refuzuar të zbatojë një urdhër të Prokurorisë së Posaçme për të kontrolluar tregun në Elbasan, i cili sipas tij lidhet me grupin kriminal të Suel Çelës. Ai e cilësoi këtë si dorëzim të shtetit në duart e krimit të organizuar.