Një 31-vjeçar i akuzuar për vjedhje dhe shitje droge është riarrestuar nga policia në Dibër pasi u kap ndërsa kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” të dhënë nga Gjykata.

I dyshuari është S.B., banues në fshatin Fushë-Alie, të cilit tashmë i shtohet edhe një vepër e re penale e rëndë, ajo e largimit të të dënuarit nga vendi i qëndrimit.

Burime zyrtare bënë me dije se:

“Në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kapën dhe ndaluan shtetasin S.B., 31 vjeç, banues në fshatin Fushë-Alie, Dibër. Ky shtetas kishte dalë nga banesa e tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Materialet hetimore për këtë rast i kaluan Prokurorisë vendore për veprime të mëtejshe proceduriale.