Policia gjermane u thirr sot për të hetuar një letër të dyshimtë që kishte mbërritur në konsullatën amerikane në Berlin, dyshim që çoi në evakuimin e ndërtesës nga stafi i ambasadës. Por alarmi u fik shpejt pasi policia lejoi hapjen e zyrave pas hetimit. “Ishte një objekt krejtësisht i padëmshëm”, tha një zëdhënës i policisë pas operacionit dy orësh, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Policia u njoftua për letrën e dyshimtë rreth orës 11:55. Seksioni i postës së konsullatës u evakuua dhe ekspertët nga Instituti i Hetimit Kriminal i Byrosë Shtetërore në Berlin ekzaminuan letrën, sipas policisë.

Punonjësit e departamentit të postës u urdhëruan të evakuoheshin dhe qasja në anën e ndërtesës ku ofrohet ai shërbim u bllokua. Ndërtesa e ambasadës amerikane në Gjermani ndodhet në qendër të Berlinit, pranë portës ikonike të Brandenburgut, por shërbimet konsullore ndodhen në një aneks në lagjen jugperëndimore të Dahlem.