Në një shtëpi me çardak, me dritare që shikonin nga deti, Moisiu i vogël do të krijonte miqësitë e para dhe do të ulej për herë të parë në bankat e shkollës. Në këtë qytet antik, aktori i ardhshëm shijonte kaltërsinë e detit, portin me anijet e shumta që vinin nga Trieste e Korfuzi, kodrat plot gjelbërim ku shëtiste me babanë dhe motrat, por dhe miqësinë me shokët e tij, bashkëshoqëruesit e aventurave fëmijërore.

"Në dejet e mia rrjedh gjak shqiptari". Kjo deklaratë e aktorit me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu" më erdhi ndër mend ndërsa po tentoja të konturoja në mendjen time shkrimin me rastin e 77-vjetorit të vdekjes së artistit të madh. Kjo deklaratë e vitit 1917 tregon më së miri se pavarësisht faktit se sa pak vite kaloi në Shqipëri Aleksandri asnjëherë nuk e harroi origjinën e tij dhe vendlindjen e të atit, Moisi Moisiu. Ai jetoi gjithë-gjithë vetëm pesë vite në Shqipëri, më saktësisht në Durrës, por mjaftoi vetëm ajo periudhë (1884-1889) për ta mbajtur të gjallë në kujtesën e tij përgjithmonë qytetin bregdetar. Për Aleksandër Moisiun, për talentin e tij si aktor i skenave botërore, për mishërimin vërtet mjeshtëror të disa prej roleve më të vështira të dramave e tragjedive të Shekspirit, Sofokliut, Tolstoit etj është folur mjaft, janë shkruar shumë artikuj dhe libra dedikuar këtij artisti. Ndërsa po lexoja librin e studiuesit Sali Hidri "Aleksandër Moisiu, mes Triestes dhe Durrësit" më tërhoqi vëmendjen lidhja e tij prej fëmije me qytetin tonë. Duke hulumtuar në arkivat e muzeut "Carlo Schmidl" të Triestes, në lagjet dhe shtëpitë e qytetit italian ku kanë banuar si qiraxhinj familjarët e Aleksandrit apo në letërkëmbimin e aktorit me prindërit dhe motrat e tij, Hidri ka mundur të na e sjellë Moisiun në aspektin njerëzor e familjar, larg elozheve dhe duartrokitjeve të skenës. Në Durrës, muzeu i kulturës kombëtare është i vendosur në shtëpinë muze "Aleksandër Moisiu", e cila ka marrë këtë emër për faktin se aty për pesë vite me radhë jetuan si qiraxhinj babai i Aleksandrit së bashku me dy djemtë e mëdhenj, dy motrat binjake dhe aktorin e ardhshëm që në ato vite ishte vetëm pesë vjeç. Në ato vite, Moisiu i vogël u rrit larg nënës së tij, italianes Amalia de Radio e cila qëndroi në vendlindjen e saj, Trieste së bashku me katër fëmijët e tjerë. Martesa mes shqiptarit Moisi Moisiu dhe triestines Amalia u celebrua në Ankona dhe nga kjo martesë erdhën në dritë nëntë fëmijë, më i vogli i të cilëve ishte Aleksandri. Babai i aktorit merrej me tregtinë e lëkurëve dhe eksportin e tyre dhe siç nënvizon studiuesi Hidri ndoshta në ato vite ishte në vështirësi ekonomike e për arsye tregtare erdhi e u vendos në Durrës, ndërkohë që e shoqja nuk pranoi ta ndiqte pas. 

Në Durrës

Babai i Aleksandrit erdhi dhe u vendos me qira në shtëpinë e Mihal Shallvarit, një tregtar i afirmuar. Pikërisht në këtë shtëpi me çardak, me dritare që shikonin nga deti, Moisiu i vogël do të krijonte miqësitë e para dhe do të ulej për herë të parë në bankat e shkollës. Siç shkruante vetë aktori i njohur në skicën e tij "Ëndërr fëmijërie" në atë kohë ai do të shkonte në shkollë pikërisht në Durrës. "Atje mësova të lexoj e të shkruaj shqipen e babës dhe greqishten e re",- shkruan tashmë Moisiu 49-vjeçar, që rikthehet me anë të kujtimeve 44 vjet prapa në kohë, në qytetin e tij të fëmijërisë. Në këtë qytet antik, ai shijonte kaltërsinë e detit, portin me anijet e shumta që vinin nga Trieste e Korfuzi, kodrat plot gjelbërim ku shëtiste me babanë dhe motrat, por dhe miqësinë me shokët e tij, bashkëshoqëruesit e aventurave fëmijërore. Në këtë qytet që ndryshon shumë nga Trieste, vendlindja e tij, Moisiu ka gdhendur në kujtesë mjetet e ngadalta të transportit (qerre kryesisht) dhe varfërinë e shumë prej shokëve të tij të shkollës, pjesa më e madhe e të cilëve vinin zbathur. Ai flet aty për miqësinë me djemtë me kapele (fëmijët e tregtarëve), çapkënllqet e para, grindjet apo fantazitë fëminore që do t'i çonin në Korfuz me diçka të ndërmjetme mes aeroplanit dhe anijes me vela, që Aleksandri u premtoi shokëve se do t'ua bënte gati të hënën në mëngjes. Megjithëse kjo fantazi e shfrenuar i kushtoi dy të rrahura, një nga shokët e një nga babai i tij ai u ndje krenar kur inxhinieri Bleroit nga Çabrati ndërtoi diçka të ngjashme e me të kaloi kanalin e La Manshit. "Dhe unë nga kurora e tij e lavdisë, mora një gjethëz të vogël dhe me mend ia dërgova Durrësit të vogël me qerret e tij të ngadalta",- do ta mbyllte skicën e tij Aleksandri. Ky ishte pra Durrësi i tij i fëmijërisë, qyteti ku aktori i ardhshëm do të konsolidonte lidhjen e ngushtë me babain e tij, po ku do të ndjente mungesën e së ëmës.  

Lidhja me të atin

Në letërkëmbimin që studiuesi Sali Hidri ka mbledhur nga Aleksandër Moisiu, 24 letra në total drejtuar familjarëve të tij, vetëm një i është drejtuar të atit. Në letrën dërguar nga Grazi në 23/12/1893, në prag të Krishtlindjeve ai i drejtohet të atit me fjalët,- "….. me këtë rast nuk mund të rri pa të kujtuar ty baba i mirë dhe të shpreh dashurinë time për ty….. Me këto kujtime të paraqet ndjenjën e madhe të dashurisë prindërore, shumë i dashuri biri yt i vogël". Letra është firmosur Aleks, shkurtimi i emrit të tij. Ajo që vëren studiuesi Hidri në letërkëmbimin e Aleksandrit me prindërit është fakti se ai u drejtohet atyre me letra të veçanta. Kështu nëse të atit ai dërgon letrën në datë 23, të ëmës ia nis një ditë më vonë. Ndërkohë në korrespondencën me të ëmën Aleksandri duket sikur e fajëson atë për mosmarrëveshjet në familje. Megjithëse prindërit e tij nuk u ndanë asnjëherë zyrtarisht qëndrimi për pesë vjet i të atit në Shqipëri dhe "fatkeqësia shumë e rëndë e familjes" për të cilën ai i shkruan nënës së tij, duket se bëjnë fjalë për një "thyerje" në marrëdhëniet brenda familjes. Ka qenë pikërisht kjo "fatkeqësi", që Moisiut, tashmë adoleshent, i shkaktonte vuajtje të mëdha. Megjithëse në komunikimin me familjarët ai përdor gjithnjë gjuhën italiane (gjuhën e nënës), ai foli shqip në një nga momentet më të vështira e më tragjike të jetës së tij. Ishte viti 1911, kur ai ndodhej për turne në Rusi, kur mori vesh lajmin e vdekjes së babait. Siç shkruan studiuesi Hidri lajmi i arriti vetëm pak para se të dilte në skenë dhe në ato momente,- "ai foli me zë të brendshëm, që e dëgjuan të pranishmit, por nuk e kuptuan. Foli shqip! E "mbytën" kujtimet nga Durrësi". Pra pikërisht në këtë moment kaq të dhimbshëm, në ato çaste kur mori vesh vdekjen e prindit të dashur, Moisiu riktheu në memorien e tij momentet e ndara me të atin, qëndrimin në prehrin e tij ndërsa ai luante me letra me shokët, shëtitjet në natyrë, por dhe ashpërsinë me të cilën dinte të ndëshkonte më të voglin e fëmijëve të tij kur e zinte në faj. Në letrën që i dërgoi paskësaj të ëmës ai e pyeste atë që t'i rrëfente më shumë për vdekjen e të atit. Duket se vitet e kaluara në Durrës kanë qenë periudha kur u konsoliduan lidhjet babë-bir, vitet kur ata qëndruan më pranë njëri-tjetrit e kjo natyrshëm e çon aktorin e famshëm të shprehej në gjuhën e të atit, në shqipen e mësuar në shkollën fillore. 

EKSPOZITA

Isak Guta sjell 150 foto të aktorit 

Me rastin e 77 vjetorit të ndarjes nga jeta të aktorit të madh Aleksandër Moisiu pushteti lokal në Durrës organizoi "Javën e Moisiut – Në jetën kombëtare të kulturës shqiptare – europiane". Aktivitetet për aktorin me origjinë shqiptare startuan në galerinë e artit pamor "Nikolet Vasia" ku për më se një javë do të qëndrojnë të ekspozuara rreth 150 fotografi të kësaj figure legjendare të artit skenik botëror. E veçanta e kësaj ekspozite ishte fakti se fotografitë e ekspozuara aty nuk ishin nxjerrë nga fondi i muzeut "Aleksandër Moisiu", por i kishte sjellë nga Kosova regjisori Isak Guta, i cili duke nisur që nga vitet '70 ka mbledhur dhe koleksionuar për vite me radhë foto të gjigantit të skenës. Ekspozitën e tij të parë me fotot e Moisiut, Guta e ka hapur në vitin 1980 në Pragë, ndërkohë që ai i ka kushtuar edhe dy libra aktorit me origjinë shqiptare. Në ekspozitën e hapur në Durrës krahas fotove që paraqesin Moisiun në shumë nga rolet që e bënë atë të pavdekshëm në skenat europiane e botërore, si dhe në aspekte të ndryshme të jetës familjare janë përfshirë dhe shumë figura të njohura botërore disa prej të cilave kanë ndikuar drejtpërdrejtë në afirmimin e tij si aktor. Impenjimin e tij dhjetëra vjeçar ndaj figurës së Moisiut, Guta e shpjegon me faktin se madhështia e kësaj figure e ka frymëzuar t'i kushtohet rrugës së artit dhe të përballojë vështirësitë që i kanë dalë gjatë rrugës. Duke qenë se regjisori kosovar ka mbaruar shkollën e lartë për regji në Pragë, qytet në muzeun e të cilit ai grumbulloi shumë nga fotot e Moisiut, kjo e ka ndihmuar edhe më shumë në punën e tij, pasi prej më se një viti ai është marrë në mënyrë specifike me shumë nga fotot duke i kthyer ato nga bardhë e zi në me ngjyra. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 mars. 

SALI HIDRI:

Në Durrës, një qendër studimore për Moisiun

Emrin e Aleksandër Moisiut e mbajnë shumë institucione të rëndësishme si universiteti i Durrësit, pallati i kulturës në Durrës dhe Kavajë, shkolla e mesme në Kavajë etj. Artikuj dhe vepra studimore janë botuar për aktorin me origjinë shqiptare, ndërsa në Durrës, në shtëpinë ku ai banoi me disa anëtarë të familjes së tij për pesë vjet me radhë është krijuar një muze ku ekspozohen dhjetëra dokumente që hedhin dritë mbi etapa të ndryshme të jetës dhe krijimtarisë artistike të A. Moisiut. Po a është bërë mjaftueshëm për të studiuar këtë figurë të artit botëror? Sipas studiuesit Sali Hidri, kur bëhet fjalë për punë shkencore asnjëherë nuk mund të thuash se e ke ezauruar deri në fund një argument. Duke qenë se ai ka qenë për 27 vjet me radhë drejtor i rrjetit muzeal të qytetit dhe ka dhënë një kontribut personal për ngritjen e muzeut “Aleksandër Moisiu” është i mendimit për ngritjen e një qendre studimore në shtëpinë-muze ku ka banuar Moisiu i vogël. Kjo qendër sipas tij do të shërbente për të bërë një studim edhe më të kualifikuar dhe më të zgjeruar që mund të hidhnin dritë mbi shumë aspekte të jetës së Moisiut të madh ende të panjohura në Shqipëri.