Nga Suzana Varvarica Kuka*

Alketa Tragaj Myshketa është artiste aktive e grupeve të reja dhe, pa hezitim mund të thuhet se me ekspozitën e saj të fundit, ajo i përket grupit të akuarelistëve të rinj shqiptarë, që kanë zgjedhur ta pasurojnë kulturën e tyre figurative përmes ngjyrave të ujit. Ajo u diplomua në Universitetin e Arteve në Tiranë në vitin 2014. Punimet e realizuara, në këtë periudhë shprehen se specializimi i saj në skenografi e ka tërhequr drejt ndërtesave historike të qytetit të pazëvendësueshëm të vendlindjes, Durrësit dhe qytetit të lidhjeve shpirtërore përtej Adriatikut, Leçes. Gjendjen e saj emocionale të shkaktuar nga vëzhgimi pasionant mbi arkitekturën, që ka nisur të ndërtohet këtu e rreth 5-së shekuj më parë, e transmeton përmes iluzionit romantik, vizatimit dhe teknikës së akuarelit.

Alketa Tragaj Myshketa në dukje ka marrë pozicionin e një faktuese të ethshme, për të dëshmuar jo thjesht mbijetesën tredimensionale të ndërtesës, por për të nxjerrë në pah dhjetëra elemente të tjerë, që e lidhin drejtpërdrejtë me artin.  Nga njëra anë, si artiste e penelit, tenton të aplikojë mbi një sipërfaqe dydimensionale ndjesitë e saj të skicimit, për të pasqyruar në mënyrë realiste aftësitë krijuese dhe imazhe të objekteve të arkitekturës. Ndërsa, përmes ngjyrave delikate të akuarelit të japë atmosferën e individualitetit të saj. Nga ana tjetër, pikturat e arkitekturës si artefakte, në mënyrë të vetëdijshme e ndihmojnë artisten të tërhiqet drejt kulturës dhe traditës së ndërtimit të qytetit. Gjithashtu, ato ndihmojnë, në ditët e sotme në edukimin me njohjen mbi trashëgiminë dhe funksionin e ndërtesave të tilla.

Artistja, në vendin e saj, kthehet në një zë koloristik të gjinisë së pikturës arkitekturore ose të pikturës së arkitekturës.

Në këto arsye piktura e Alketa Tragaj Myshketa, në dukje një ilustrim piktorik mbi ndërtesën historike, kthehet në një qendrim estetik vetjak, i cili referon pikturimin me ngjyrat e ujit të ndërtesave arkitektonike dhe mjediseve të tjera. Ngjyrat e ujit ose akuarelet janë të dashura e të mahnitëshme për delikatësën, transparencën dhe pozitivitetin e tyre. Artistja ka arritur t`i bëjë për vete, dhe me artin e saj realist dhe stilin figurativ ka hyrë në marrëdhënie me objektet arkitektonike dhe mjediset urbane në natyrën e qytetit italian dhe shqiptar. Ata të vendosur në atmosferën natyrore, i kanë shkaktuar ndjesi emocionale romantike. Artisja, me 30- të akuarelet e saj të zhanrit të pikturës arkitektonike, ka arritur t`i transmetojë më parë vetes dhe më pas publikut historitë ndërtimore në të shkuarën dhe ekzistencën e natyrës së tyre në të sotmen. Ajo, përmes artit të akuarelit na fal kënaqësi dhe tërheqje të vemendjes ndaj një të shkuare ekspresive e dinjitoze, që jeton me ne. 

*Studiuese dhe historiane arti