TIRANE- Rastet e aksidenteve, autoambulancat mbërrijnë me vonesë në vendngjarje 

Mungojnë mjetet e ndihmës së parë, qytetarët ankohen për shërbimin

Ndonëse flitet çdo ditë për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë në vend, asgjë nuk është në nivelet për të cilat flitet. Përveç problematikave të tjera që ka ky sektor, kushtet e këqija nëpër spitale, mungesa e ilaçeve, edhe shërbimi parësor dhe ai i urgjencës lënë shumë për të dëshiruar.

Lidhur me këtë problem, një rast tepër sporadik dhe i patolerueshëm ndodhi dje, në kryeqytet. Një qytetar i moshuar kishte nevojë për ndihmë mjekësore, por urgjenca, pas shumë lutjesh dhe sorollatjesh, erdhi pas 22 minutash.

Në vendin e ngjarjes u ndodhën rastësisht dhe gazetarët, të cilët bënë të mundur, mes shumë shpjegimesh, që të dërgohej një ambulancë pranë të sëmurit. Natyrshëm lind pyetja: Sa vlen jeta e qytetarit në vendin tonë?! Mbas atij episodi, e vetmja përgjigje që u la të kuptohej ishte: Nuk vlen asnjë cent. Ndonëse është e rëndë të arrihet në këto konkluzione, realiteti në vendin tonë flet shumë qartë.