Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është takuar sot me drejtueset e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Kryetaren Jorida Tabaku dhe Nënkryetaren Etilda Gjonaj.

Mësohet se tema e diskutimit ka qenë mbi progres raportin e Komisionit Europian për vitin 2021.

Në një postim në “Facebook”, ambasada amerikane shprehet se Shqipëria i përket Bashkimit Europian dhe se negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Postimi i ambasadës së SHBA:

Pak gjëra janë më të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë sesa integrimi i saj në Europë. Ambasadorja Kim u takua më 22 tetor me drejtueset e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian – Kryetaren Jorida Tabaku dhe Nënkryetaren Etilda Gjonaj – për të diskutuar mbi progres raportin e Komisionit Europian për vitin 2021, i cili vëren se Shqipëria “vazhdon të përmbushë kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe… përparoi në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e reformës së Bashkimit Europian”, si dhe fushat të cilat kërkojnë vëmendje të mëtejshme.

Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara besojnë me forcë se Shqipëria i përket Bashkimit Europian dhe se negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne besojmë se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në përparimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, si dhe rrit stabilitetin dhe kontribuon në zhvillimin e popujve të rajonit.

Ambasadorja Kim mirëpriti vendosmërinë e Komisionit për të forcuar llogaridhënien mbi veprimet e qeverisë, për të informuar publikun dhe për të përshpejtuar përparimin drejt përmbushjes së standarteve të Bashkimit Europian, përfshirë sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, masat kundër korrupsionit dhe pastrimit e parave në përputhje me rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar (FATF), dhe reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it. Ajo përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin me forcë përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, e cila – ashtu si përpjekja e suksesshme e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO – është një qëllim i rëndësishëm strategjik që kërkon kontributin e ideve dhe përpjekjeve nga të gjitha palët.