Emigrantët që po shkonin drejt Mbretërisë së Bashkuar verën e kaluar u rrëmbyen, u torturuan dhe u kërcënuan me heqje të detyruar të organeve. Rreth 300 të rinjë, të gjithë nga Kurdistani irakian, u kapën në Libi nga një milici që kërkoi një shpërblim prej 5,000 dollarësh nga secila familje e tyre dhe kërcënoi se do t’u merrte veshkat robërve nëse pagesa nuk do të bëhej menjëherë.
Sipas raportimeve të BBC, ish-robërit treguan prova të torturës dhe thanë se ishin mbajtur në kushte të ngushta, me gati 180 njerëz që ndanin një qeli. Të paktën një peng dihet se ka vdekur dhe nuk është e qartë se sa prej tyre mbeten robër. Milicia supozohej se do t’i udhëhiqte migrantët përmes Libisë drejt bregdetit të Mesdheut. Megjithatë, kishte shpërthyer një mosmarrëveshje për pagesën me kontrabandistin kurd të Irakut, Noah Aaron, i cili kishte organizuar udhëtimin e migrantëve. Aaron po vuan tani një dënim me 10 vjet burg në Francë për vepra të veçanta penale të pastrimit të parave dhe kontrabandës.
Kontrabandisti Noah Aaron po vuan tani një dënim me 10 vjet burg në Francë.
Detajet e rrëmbimeve dolën gjatë një hetimi të kohëve të fundit të BBC-së mbi një tjetër kontrabandist, Kardo Jaf , i cili çoi në arrestimin e tij muajin e kaluar. Dy kontrabandistët besohet se kanë punuar së bashku në të kaluarën. Të dy janë nga qyteti i Ranyas në Kurdistanin irakian një rajon i mbushur me rrjete aktive kontrabande.
Në shkurt, një ekip hetimor po bënte pyetje në lidhje me Jafin në Ranya, kur iu afrua një burrë vendas i cili tha se djali i tij kishte qenë një nga burrat e ndaluar. Burri tha për ekipin se banda e kontrabandës së Aaronit i kishte marrë familjes së tij mijëra dollarë për organizimin e udhëtimit për në Mbretërinë e Bashkuar, i cili do të përfshinte udhëtimin nëpër Afrikën veriore, pastaj nëpër Mesdhe për në Evropë.
Rruga do të kalonte nëpër Libi, një vend me një vakum të madh qeveritar, sipas Anthony Dunkerley, një këshilltar i OKB-së i cili ka hetuar trafikimin e qenieve njerëzore atje. Pjesa më e madhe e Libisë kontrollohet nga milicitë rivale dhe rrjetet e kontrabandës mbështeten në bashkëpunimin e tyre. Mësuam se, gjatë verës së vitit 2025, grupe të njëpasnjëshme emigrantësh që kishin fluturuar në Libi nga Kurdistani i Irakut u çuan në një kompleks të ruajtur dhe u burgosën.
Milicia kërkoi më pas 5,000 dollarë për secilin peng, duke pretenduar se Aaron nuk i kishte paguar ato për një marrëveshje të mëparshme. Nëse paratë nuk dorëzoheshin shpejt, familjet u paralajmëruan se pagesa do të merrej me një veshkë. Libianët dërguan gjithashtu foto dhe video të pengjeve, shumë prej të cilave ishin shqetësuese ose të dhunshme. Në njërën prej tyre, një i ri u filmua ndërsa i thanë se po e çonin te një mjek për t’i hequr veshkën.
Rrëmbimi për shpërblim është dokumentuar gjerësisht përgjatë rrugëve të migrimit përmes Libisë. Grupet kriminale janë në gjendje të shfrytëzojnë kontrollin e kufizuar shtetëror në disa zona, thotë Dunkerley, duke i bërë hetimet dhe ndjekjet penale veçanërisht sfiduese. Shumë nga pengjet janë liruar tani. Disa familje e paguan menjëherë shpërblimin, por autoritetet kurde dyshojnë se pengje të tjera mund të kenë paguar me organet e tyre të brendshme.
Një i ri tha se ishte torturuar duke i djegur këmbën. Ai i mbështolli pantallonat për të treguar plagët. Një djalë 16-vjeçar tha se kishte qenë një nga 178 të mbajturit në një qeli të vogël: Nuk e pamë Diellin për gjashtë muaj. Ishte aq e ngushtë sa të gjithë duhej të flinin ulur. Të gjithë të burgosurit ndanin një tualet të vetëm dhe ata që vonoheshin shumë rriheshin. Ushqimi përbëhej nga një copë bukë në ditë, thanë familjet e pengjeve për BBC-në, por vetëm nëse u paguanin pengmarrësve para shtesë.
Sipas një postimi në rrjetet sociale nga njëri prej pengjeve tregon qelinë në të cilën ata thonë se janë mbajtur. Pavarësisht rreziqeve, fluksi i emigrantëve të paligjshëm nga Kurdistani i Irakut në Evropë nuk është ndalur, sipas Hemn Merany, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme të Qeverisë Rajonale të Kurdistanit. Ai u ka kërkuar pengjeve të kthyera t’u tregojnë miqve dhe familjes për përvojat e tyre të tmerrshme, për t’i dekurajuar ata që të nisin të njëjtin udhëtim.
Por ai tregon historinë e një babai, djali i të cilit vdiq në Libi pas një ndërhyrjeje të dyshuar për heqje organesh me forcë. Në funeralin në Ranya, burri zbuloi se dy nga kushërinjtë e djalit të tij ishin larguar së fundmi për në Evropë.
“Pjesa shumë e trishtueshme e kësaj pune është se ne nuk mësojmë”, thotë Merany.





