Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës ka reaguar fort ndaj procedurës së re doganore që po aplikohet prej rreth tre javësh në portin e Durrësit. “Deklaratën e Thjeshtuar Doganore” kreu i kësaj dhome, Andrea Xhavara e ka kundërshtuar ashpër duke i bërë apel Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të anullojë zbatimin e kësaj deklarate, e cila sipas tij ngre barriera të panevojshme ndaj biznesit, duke rritur kostot dhe ulur shpejtësinë e kryerjes së procedurave. Nga ana tjetër Xhavara, në emër të biznesit, ka kërkuar heqjen e çmimit të referencave në doganë, të cilat vihen ndaj biznesit vendas me qëllimin e vetëm për të vjelë sa më shumë para nga subjektet private e për të mbushur arkën e shtetit.

Operatorët ekonomikë që operojnë në portin e Durrësit kanë ngritur një shqetësim, i cili është pasqyruar në një peticion që i është dërguar institucioneve më të larta të shtetit. Cili është qëndrimi i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Durrës për këtë çështje?

Kjo mund të shihet si një klimë mosbesimi që dogana ka ndaj biznesit që operon në portin e Durrësit. Këto procedura të reja doganore në lidhje me shkarkimin dhe zhdoganimin e mallit në portin e Durrësit kanë shkaktuar ndryshime në regjimin doganor në port, pasi kërkohet që të gjitha mallrat pa përjashtim të kontrollohen dhe të peshohen.

Kjo natyrisht rrit ndjeshëm kohën e shkarkimit dhe zhdoganimit të mallrave në port dhe po ashtu rrit ndjeshëm koston për biznesin. Kjo procedurë kërkon kontroll të imët dhe të detajuar të çdo malli. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ndan të njëjtin mendim me peticionin e firmosur nga operatorët ekonomikë. Shteti ka të drejtë të kontrollojë, por ky kontroll duhet të bëhet me sondazh, ndërsa për disa mallra të tjera siç janë paletat e melaminës dhe produkte të tjera të këtij lloji që janë peshuar njëherë në perëndim, nuk është i nevojshëm peshimi i tyre sërish, pasi ato kanë peshën e tyre të caktuar.

Nëse dyshohet për ndonjë shkelje apo mashtrim do të mjaftonte sondazhi. Dogana i ka të gjitha mjetet dhe agjensitë kontrolluese (kanë antikontrabandën) që mund të konstatojnë shkeljet dhe të ndëshkojnë të gjithë abuzuesit në bazë të kodit doganor. Ne kërkojmë që të kthehen procedurat siç kanë qenë në bazë të zhdoganimit me “import 5”.

Produkte si gruri për shembull po peshohen të ndarë në kamionë. Bizneset ankohen për vonesa dhe kosto shtesë. Ju si mendoni për këtë procedurë me të cilën po operon dogana?  

Të peshosh grurin e një anije 3-5 mijë tonëshe është një katastrofë për bizneset, sepse rrit në vlerë kolosale koston për agjentët doganorë dhe spedicionerët, si edhe për pronarët e anijeve që qëndrojnë në kalata,  kur e gjithë anija është peshuar. Kështu hidhen dyshime mbi të gjithë agjensitë që paraqesin dokumentacionin e përpiluar dhe kontrolluar nga agjensitë e huaja, të vendeve nga është transportuar malli e mbi të gjitha hidhen dyshime për agjensitë tona që përgatisin dokumentacionin.

Me këtë procedurë ato survejohen. Kjo nuk është e drejtë. Nuk mund të dyshosh mbi të gjithë biznesin. Shteti ka të drejtën e kontrollit me sondazh edhe për mallrat rifuxho në raportin pesha e anijes dhe malli.

Situata është e ndezur sepse as dogana dhe as operatorët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre. Sipas jush si mund të zgjidhej ky problem?

Shteti është shtet dhe ajo që biznesi kërkon vazhdimisht është ngritja e partneritetit real të biznesit me shtetin. Partneriteti duhet edhe në një rast të tillë. Është i nevojshëm një takim mes grupit të operatorëve ekonomikë me drejtorin e përgjithshëm të doganave të Shqipërisë. Ne si Dhomë Tregtie dhe Industrie e Durrësit i mbështesim fuqishëm kërkesat e tyre.

Një tjetër fenomen abuziv që po vihet re gjatë muajit shtator është rritja e çmimit të referencave në doganë. Cili është qëndrimi i dhomës suaj ndaj kësaj rritje çmimesh?

Ne si dhomë tregtie jemi kundër zbatimit të referencave në doganë. Zbatimi i referencave për biznesin së pari është në kundërshtim me kodin doganor sipas të cilit duhet të njihet fatura dhe jo referenca, e cila shpesh nuk dihet si përcaktohet. Çmimi i referencës është krejtësisht abuziv. Duke marrë shembull p.sh. grurin.

Gruri është i kuotuar në bursë dhe çmimi i tij dihet. Me thatësirën që ka pasur gjatë kësaj periudhe çmimi i grurit është rritur dhe do të rritet. Por rritja e referencës me 10 dollarë për ton në doganën e Durrësit është një stil i vjetër për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, që nuk njeh faturat, por referencat. Në këtë rast Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e trajton biznesin me dy standarte të kundërta.

Së pari dyshon se fatura është e rreme dhe së dyti ç’ është dhe më e keqja kur bëhet zhdoganimi dhe paguhet taksa doganore atëherë zbatohet çmimi i referencës. Në këtë mënyrë shteti zbaton dy standarte. Por kur vjen puna për shitjen e mallit në tatimin mbi fitimin vendos faturën sepse shtetit i leverdis në këtë rast e kundërta. 

Këto dy standarte, ku njëherë njihet çmimi i referencës dhe njëherë çmimi i faturës zyrtarizojnë një standart të dyfishtë, jo të qartë ndaj biznesit. Shteti i ka të gjitha mjetet që edhe në doganë të njihet fatura, për të kontrolluar ndonjë dokument të rremë që nuk përputhet në dokumentacion. Ka marrëveshje ndërshtetërore që agjensi të caktuara të kontrollojnë dhe vërtetojnë nëse ka fatura të rreme dhe që krijojnë evazion fiskal. Ne jemi në mbështetje të biznesit që zbaton ligjin dhe është i ndershëm.

Rritja e barrës fiskale mbi biznesin e ndershëm, po e dëmton këtë të fundit, pasi dhe kriza ekonomike që ka përfshirë vendet fqinje ka ndikuar jo pak edhe në vendin tonë. Cilat janë kërkesat që ju si Dhomë Tregtie dhe Industrie e Durrësit i parashtroni institucioneve shtetërore?  

Ne kemi 10 kërkesa prioritare. Është shumë e rëndësishme heqja e çmimeve referuese në doganë, heqja e çmimeve referuese për pagesat dhe mallrat sipas të cilave bëhet edhe përllogaritja e tatim fitimit. Ne jemi për njohjen e faturës. Shteti të gjejë mënyrat e veta, për të zbuluar se kush mashtron. Nuk është e drejtë që të zbatohet apriori një çmim reference apo një pagë reference që nuk përputhet me realitetin. 

 

Rritet referenca për grurin

Nga data katër e këtij muaji është rritur me 10 dollarë cmimi i referencës në doganën e Durrësit pa asnjë paralajmërim. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka rritur me 10 dollarë për ton referencën për grurin. Rritja është realizuar pa asnjë lloj studimi dhe pa asnjë lloj komunikimi me biznesin. Nesër prodhuesit e bukës do të ankohen se është rritur çmimi. Në bursë, çmimi i grurit është rritur me 15 dollarë, ndërsa dogana ka rritur çmimin e referencës me 10 dollarë të tjerë, duke bërë që nga 4 shtatori deri tani çmimi i grurit të rritet me 25 dollarë për ton. “E gjithë kjo do të rëndojë mbi konsumatorin, sepse as ne dhe as klientët tanë nuk e dinim se do të rritej çmimi i referencës. Brenda këtij muaji qytetarët do të përballen me rritje të çmimit të bukës në dyqane”,- bëjnë me dije importuesit e grurit.