Marina Mbretërore ka monitoruar një anije spiune ruse pasi ajo hyri në ujërat britanike në fillim të kësaj jave, ka deklaruar sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, para deputetëve të mërkurën.

Healey ka thënë se anija, Yantar, është përdorur për marrjen e informatave inteligjente dhe hartës së infrastrukturës kritike nënujore të Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka shtuar se incidenti është “një shembull tjetër i agresionit rus në rritje”, raporton BBC.

“Unë gjithashtu do të doja që presidenti Putin të dëgjonte këtë mesazh: ne ju shohim, ne e dimë se çfarë po bëni dhe ne nuk do t’i shmangemi veprimeve të forta për të mbrojtur këtë vend”, – ka deklaruar Healey.

Rusia e përshkruan Yantar si një anije kërkimore oqeanike dhe operohet nga Ministria e Mbrojtjes e vendit. Vendet perëndimore e kanë gjurmuar shpesh anijen që operon në ujërat evropiane dhe ata dyshojnë se një pjesë e misionit të saj ka qenë gjetja e kabllove nënujore.

Ata gjithashtu besojnë se Rusia e ka rritur këtë aktivitet që kur ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.