Dy anijet e sekuestruara vite më parë rrezikojnë të mbyten në kalatën lindore të portit të Durrësit. Prokuroria e Durrësit, ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar se çfarë do të behet me dy anijet që qëndrojnë të lodhura në mol pa asnjë vëmendje nga ish-pronarët e tyre.
Anija “4 elementët” qëndron e lidhur për më shumë se 5 bejt në të njëjtin vend, pasi rezulton me borxhe të mëdha ndaj shtetit shqiptar, për mospagesë taksash ndërsa anija tjetër “Era 1” me vendim të prokurorisë e Kapitanerisë së Durrësit është zhvendosur nga kalata numër 5, ku mbahej nën vëzhgim 24 orë në kalatën lindore, pasi iu sekuestrua rreth 40 ton cigare që ishte ngarkuar në të.
Anijet janë pa zot. Herë pas here në të hipin vetëm peshkatarët që peshkojnë me grep, pasi gjithçka që patën brenda tyre u vodh pas urdhrit të sekuestros. Kjo është një situatë e vështirë dhe e çuditshme njëkohësisht, sepse anijet kanë rrezik të mbyten çka do t’i kushtonte shpenzime kolosale portit të Durrësit për nxjerrjen e tyre nga baseni. Nga ana tjetër në rast mbytjeje kompanitë që i kanë në pronësi mund të vijnë dhe të kërkojnë dëmshpërblim. Prokuroria ka kërkuar që anijet të zhvendosen në Karaburun por kush mund ta lëvizë anijet, sepse shpenzimet janë të mëdha. Nga ana e Autoritetit Portual dhe forcave të sigurisë është vetëm ruajtja e tyre.





