*Mela Moisiu shtron pyetjet: Kush do t’i mbrojë interesat e qytetarit? Pse nuk funksionon ligji i qeverisjes vendore?

3nentor 2015 – Pse nuk funksionon ligji i qeverisjes vendore? Kush do t’i mbrojë interesat e qytetarit, kush do t’i zgjidhë ato? Pse rrekemi që problemet e jetës së përditshme në komunitet, t’i zgjidhim privatisht, duke gjetur shokë e duke gjetur miq, duke iu lutur kryetarëve të rajoneve? A ka bashkia punonjës, në rajone inspektorë që t’u japin zgjidhje problemeve të përditshme të qytetarëve? A mund të forcohet ligji për qeverisjen vendore?

Këto pyetje ua drejton krerëve të qeverisjes vendore Mela Moisiu, banorja e lagjes numër 1, me profesion pedagoge në Univeristetin e Durrësit.

Zonja Moisiu, ju ngritët disa probleme kryesore në forumin qytetar ditë më parë në drejtim të kreut të bashkisë dhe të prefektit. Cilat janë ato?

Unë kërkoj e vazhdoj të kërkoj me ngulm të zbatohet ligji për qeverisjen vendore. Më thjesht legjislacioni për komunën si strukturë  e si qeliza kryesore e qeverisjes vendore. Ligji është krejtësisht i pazbatueshëm.

Ju ju drejtuat njëkohësisht edhe prefektit Roland Xhelili?

Po, unë jetoj në lagjen numër 1. Në bllokun e pallateve ku jeton edhe prefekti i qarkut. Ne kemi si problem madhor në pallatin tonë, bahçen që na është bërë në katin e 11 nga një banor. Ku mund të ankohemi, sepse kjo është anormale. Por banorët kanë mjaft probleme nga më të çuditshmet, dhe s’dinë ku të ankohen. Nëse jashtë shtetit dikush bën zhurmë, vjen policia dhe si fillim e këshillon, më pas merren masa. Por tek ne, s’ke ku të ankohesh. Këtu nuk funksionon ashensori, banorët nuk paguajnë tarifën e ashensorit, disa nuk paguajnë për rikonstruksionin e ashensorit e të mirëmbajtjes, nuk paguajnë paratë për administratorin, apo rojen e pallatit.  

Ka pasur probleme konkrete?

Ka ndodhur që një banor i pallatit mbante dhi në shtëpi. Dhia hipte së bashku me ne në ashensor, dhe kjo ishte tragjikomedi më vete. Ndodh që gjatë bashkëjetesën në pallat, në një banesë të çahen tubat, dhe banesa poshtë përmbytet, ndërkohë që s’ke ku të ankohesh e të gjesh zgjidhje. Ndodh që komshiu ka një qen të madh bulldog dhe të hyn e të hidhet në qafë, e ti, s’ke ku të ankohesh. Po kështu komshiu lart në katin e sipërm prej vitesh nuk jeton aty, e nuk e ka hapur derën. Kur shpërthejnë tubat e ndodh përmbytje, ku të ankohet qytetari?

/K.H. portali DurresLajm/