Autoriteti Portual Durrës ka hapur të enjten e kaluar zyrën e përfaqësimit të tij në Shkup (Maqedoni) duke hedhur kështu një hap të sigurt për forcimin e pozitave të tij në rajonin e Ballkanit. Hapja e zyrës së përfaqësimit synon afrimin e sa më shumë biznesmenëve maqedonas për t’i kryer shkëmbimet e tyre tregtare përmes portit më të madh në vend.

Drejtori i APD-së, Eduard Ndreu prezantoi gjatë takimit karakteristikat dhe kapacitetet e portit të Durrësit para afaristëve dhe biznesmenëve maqedonas. Ai informoi për veprimtaritë dhe investimet e ndërmarra për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe asaj rrugore në drejtim të portit. Para afaristëve të huaj Ndreu tha se “rruga më e shkurtër e Maqedonisë për në Europë është Shqipëria”.

“Është shumë e thjeshtë të kuptohet që Shqipëria është dalja natyrale e Maqedonisë në det për t’u lidhur me botën. Por jam i bindur që kjo nuk mjafton. Duam të punojmë shumë për të eleminuar të gjitha këto barriera, të cilat këtë rrugë të shkurtër e bëjnë të gjatë”,- u shpreh Ndreu.

Drejtori i Agjensisë për investime të huaja në Maqedoni, Visar Fida, në fjalën e tij vlerësoi se hapja e përfaqësisë së portit të Durrësit në Shkup do të jetë një mundësi më tepër për afaristët e të dyja vendeve. “Hapja e kësaj zyre do të lehtësojë më shumë eksportin e produkteve të kompanive vendore dhe të huaja.

Shumë nga kompanitë e huaja që vijnë në Maqedoni, vëllimin më të madh e kanë për eksport, kryesisht drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe SHBA-ve. Hapja e zyrës së portit të Durrësit në Shkup do t’ua lehtësojë edhe atyre punën për një port alternativ dhe për të mos u varur tashmë vetëm nga porti i Selanikut”,- tha Fida.

Ndërkohë Ivan Pestovski, përfaqësues i shoqatës së transportit shtoi se “transporti maqedonas duhet ta shohë portin e Durrësit si një alternativë më të afërt drejt Europës perëndimore”. Biznesmenët maqedonas deri tani kanë shfrytëzuar portin e Selanikut në Greqi, për shkak të infrastrukturës më të favorshme. Gjatë ceremonisë së përurimit të zyrës së përfaqësimit të APD-së në Shkup  morën pjesë ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Maqedoni, përfaqësues të organizmave të biznesit dhe transportit maqedonas, afaristë, intelektualë etj.