Një muaj kohë u ka lënë Autoriteti Portual Durrës kompanive të interesuara për marrë pjesë në tenderin “Për pastrimin e ambienteve të jashtme të APD-së për 3 vjet”.

Të gjitha kompanitë e interesuara kanë kohë deri më datë 24 mars për të dorëzuar ofertat e tyre. Tenderi në fjalë parashikon përzgjedhjen e kompanisë fituese për pastrimin e ambienteve të portit për 3 vite me radhë, kundrejt vlerës 69.8 milionë lekë të reja, ose rreth 575 mijë euro.

Në dokumentet e tenderit specifikohen edhe shërbimet e pastrimit që duhet të realizojë kompania që do të shpallet fituese.

Porti i Durrësit pritet t’i nënshtrohet punimeve për transformimin e tij në marinë turistike, ndërsa ai i mallrave pritet të zhvendoset në Porto Romano, ku do të ndërtohet porti i ri tregtar.