Pas dëmtimit të pësuar më 20 shkurt në duelin kundër Tiranës, është rikthyer të flasë për atë moment, planet për karrierën dhe vështirësitë që hasi deri në rikthimin në fushë. Teksa foli dhe për sezonin që pret me ekipin e Teutës.

Arbër, ndeshja juaj e fundit ishte më 20 shkurt, rreth 3 muaj e gjysmë më parë, kur pësuat një dëmtim. Si ndiheni tani?

Jam shumë i lumtur që pas një dëmtimi të gjatë, më në fund po rimarr vetën dhe kam nisur vrapimet në fushë. Kjo ndjenjë më ka munguar çdo ditë. Ndihem shumë krenar dhe falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur.

Le të ndalemi te rikthimi. Cilat ishin emocionet e ditës së parë?

Ka qenë njësoj si dita e parë që nisa të luaj, emocion maksimal, entuziazëm dhe një dëshirë e madhe për të rinisur. Dëshirë, që vihej re sapo nisa të shkelja fushën pas 4 muajsh. Tani pres që të nis fazën përgatitore me Teutën.

Sa ka ndryshuar forma fizike pas 100 ditësh pa luajtur?

Jashtëzakonisht shumë. Nëse do të kujtojmë momentin kur u dëmtova kundër Tiranës, unë isha në një formë të shkëlqyer. Por tashmë, pas 3 muajsh e gjysmë shkëputjeje, asgjë nuk mund të jetë si më parë. Kanë ndryshuar shumë gjëra, që shpresoj t’i rikuperoj me kohën. Jam munduar në maksimum të ruaj formën sportive për të mos e pasur të vështirë rikthimin. Falënderoj fizioterapistin Ervin Shembitraku, i cili u kujdes maksimalisht për mua që të isha gati.

Le të rikthehemi te futbolli, si e patë Teutën e këtij sezoni?

Normalisht, ekipi mund të bënte më mirë në disa ndeshje specifike, por do të thosha se ishte një sezon me oshilacione për shumë arsye. Gjithsesi, ekipi bëri mirë dhe i bënë hyzmetin deri në fund për të shkuar mes katër me të mirave, por ky është futbolli, do edhe pak fat.

Si mund ta përshkruanit këtë sezon në tërësi?

Ishte e vështirë të parashikoje këtë kampionat, por vihej re se kishte ekipe më të organizuara sesa të tjerat. Ishte një luftë e fortë, kishte shumë ekipe që pretendonin, por në fund ekipet morën atë që dhanë në fushë.