Pas përfundimit të edicionit të katërt të “Big Brother VIP”, Arbër Hajdari ka dhënë një intervistë për emisionin “Ftesë në 5”, ku ka ndarë përshtypjet dhe eksperiencën e tij si opinionist.
I pyetur nga moderatorja Bieta Sulo për marrëdhëniet që ka ndërtuar gjatë këtij rrugëtimi, Hajdari zbuloi se personi i parë që ka telefonuar menjëherë pas spektaklit ishte Gerta Gixhari. Sipas tij, ata kanë lënë që të dalin bashkë me pjesëtarët e tjerë të shtëpisë së famshme.
“Kam një raport shumë të mirë me të gjithë banorët, që nga edicioni i parë,” tha Hajdari, duke theksuar atmosferën miqësore që ka ndërtuar me pjesëmarrësit ndër vite.
Në lidhje me opinionistet që kanë qenë në krah të tij në katër edicionet e BBV, Arbri veçoi Zhaklin Lekatarin dhe Neda Ballukun, të cilat i cilësoi si më të afërtat dhe më të përshtatshmet për diskutimet në studio.
Ndër të tjera, ai theksoi se këtë vit ka fituar edhe miqësi të reja me stafin e spektaklit, në veçanti me drejtuesin Ledion Liço dhe producenten Sara Hoxha.
“Sara është një profesioniste e jashtëzakonshme. Për mendimin tim, më e mira në këto troje. Top Channel ka treguar që është numri një i spektaklit. Sara e ka vërtetuar se meriton t’i heqësh kapelen,” përfundoi Hajdari.