Problemi që trajtojmë e provokon pikënisjen nga kampionati kombëtar i boksit për të rritur, zhvilluar në Shkodër nga 26 deri me 30 shtator 2012. Teuta udhëtoi në drejtim të kryeqendrës së veriut, e bindur për të demonstruar aftësitë dhe cilësitë e boksierëve të saj. Ende në psikologjinë e këtij grupi boksierësh rëndon humbja e papritur e vitit të shkuar e Neki Abazajt, trajneri që i mësoi shumicës prej tyre se si mbahen dorezat e grushtimit.
Mungesa e dy boksierëve të fortë dhe me pretendime si Ardit Aliaj dhe Mërgim Byberaj ia zbehte disi objektivat grupit përfaqësues të Teutës, por kurrsesi ardhmërinë dhe karrierën. Me trajnerin simpatik dhe punëdashës të Teutës Jani Nano, biseduam gjatë pas kthimit nga Shkodra dhe në fytyrën e tij lexuam dy pozicione: e para vendi i katërt i renditjes dhe e dyta krenaria për një brez në rritje, që mund të marrë “gjak në vetull” në boksimet e mëtejme.
Trajtuar me gjuhën e rezultatit, duket se Nano nuk i kishte plotësuar synimet. Ndërsa parë me moralitetin e ardhmërisë, punët e mira ishin prezent. Por boksi ashtu siç çdo degë sporti e kërkon renditjen, e cila justifikon dhe ngacmon krenarinë e konkurimit. Por kur në ring paraqitet Klevis Vrapi në peshën 48 kg, kur mosha e tij është 4 vjet më e vogël se konkurenti dhe pesha 5 kilogram më e lehtë nga ai, humbja nuk të ligështon, por të shton kurajon. Sepse Klevis Vrapit nga kampion i të rinjve, ndonëse arriti deri në finale, nuk mund t’i ngarkosh peshën e përgjegjësisë për të mundur Taulant Zajmin e Dardanisë.
Në këtë rast humbja mban vlerën e fitores. Sepse ato që i ndoqën garat janë të bindur se në konkurimin e ardhshëm, Vrapi ka për të vrapuar drejt suksesit. E këtu humbja të duket si kapak floriri. Argumenti përfshin edhe boksierin 21 vjeçar Preng Kaçorri, që fitoi dy ndeshje dhe mundet në finale nga një grushtues shkodran. Por Teuta krahas këtyre dy finaleve “rrëmbeu” edhe katër vende të treta si Enton Kikrri, Klison Beqaraj, Alesio Spahiu dhe Averild Bilo që luhaten në moshë nga 18 deri në 21 vjeç.
Ky grupim duke patur në përbërje edhe Vrapin me Kaçorrin, të marrin “frymën” vitin e ardhshëm, duke justifikuar këtë punë të jashtëzakonshme që prej vitesh kryhet me ta. Nuk është faji i Elton Cenajt, që ndonëse bokson mjeshtërisht nuk mundi të vazhdojë më tej, sepse gjyqtaria subjektive i jep 1 pikë më shumë kundërshtarit Anxhelo Merkohasanaj të Dardanisë.
Dhe kjo pikë ia heq Teutës shansin për vendin e tretë. E ç’rëndësi ka kjo, kur grupi i boksierëve të Teutës prezanton në mënyrën më të mirë ardhmërinë e tij. Është ky pra Jani Nano, që me peshën e renditjes në klasifikim që i kërkohet nga dikush, të “harrojë” për një çast vlerat e mëdha të investimit për të ardhmen. Ecuria e mirë nuk falet, por krijohet.
Rezultatet pozitive nuk dhurohen, por fitohen. Këtë kërkon të bëjë specialisti i boksit durrsak Jani Nano, si vazhdues i punës pasionante dhe të mrekullueshme të të paharruarit Neki Abazaj. Një vend më i ulët sot në renditje, por një hop i ndjeshëm cilësor nesër, kur mund të pohohet se është fituar një brez për t’u patur zili. Teuta u rendit në vendin e katërt, duke lënë pas ekipet e Apolonisë, Flamurtarit, Kukësit, Tirana 2006 dhe Lezhës, ndërsa mbi të zunë vend Vllaznia, Tirana dhe Dardania.
A është një mision i humbur ky i Teutës?! Kurrsesi jo. Tentativa për ta kryqëzuar paraqitjen e Teutës si të kritikueshme është jo vetëm e nxituar, por edhe e paargumentuar edhe në pozicionin e specialistit. Hezitimi tejkalohet, kur logjika e ngjarjeve të vendos para argumentit të pakundërshtueshëm: me boksin durrsak po kryhet një punë e pastër dhe me tendencë në rritje.
Gjykojmë se ky është klasifikimi më i mirë. E ardhmja, e mund renditjen e tanishme. Dhe Jani Jano me grupin e boksierëve që drejton, duhet ta ndjejë që tani aromën e këndshme të paraqitjeve të mëpasme. Mbi renditjen është puna, në sfondin e së cilës është ulur këmbëkryq optimizmi, dëshirat dhe ëndrrat e një brezi që ia vlen të ndalemi kësisoj.