Aktori i njohur, Ardian Cerga ka ardhur këtë herë para artdashësve durrsakë në një dimension të ri të tij, në rolin e shkrimtarit.

Mes miqve dhe dashamirësve ai ka promovuar romanin e tij të parë “Kohë dashurish të harruara”, që bazohet në jetën personale të tij nga vitet ’80 deri më sot. Libri flet për personazhin kryesor Nani, një djali 23 vjeçar që e dërgojnë nga Tirana në Berat.

Për botuesen e tij, Rita Petro, romani i Cergës është befasues.

“Kur më dërgoi faqet e para Ardiani vura re 3 cilësi shumë të mira; e para, e shkruara me sinqeritet në vetën e parë, gjë që e kthen nga një libër autobiografik në një roman. E dyta, duke qenë se është edhe kineast, Ardiani sjell shumë detaje, madje mund të thoja që mund të bëhet një skenar shumë i mirë filmi ky roman. Ka detaje jashtëzakonisht të gjetura. E treat, vërtet nuk ka ujëra të tepërta”,- tha Petro.

Shkrimtari i njohur durrsak, Bashkim Hoxha, ka qenë ndër të paktët që e kanë lexuar romanin “Kohë dashurish të harruara”, që kur ishte dorëshkrim. Për të, romani i Cergës është një vepër shumë e mirë artistike.

“Kam pasur fatin ta lexoj në dorëshkrim romanin dhe më ka dhënë një ndjesi jashtëzakonisht të mirë, pikërisht prej sinqeritetit që ka romani. Kam përshtypjen që kushdo që do ta lexojë, veçanërisht lexuesit e brezit tonë, por edhe pak më të rinj, por jo shumë të rinj do të gjejnë aty pjesë tepër të njohura nga jeta e tyre. Siç thotë një nga estetët e mëdhenj, librat e mirë janë ata që ia di përmbajtjen lexuesi, jo në kuptimin e subjektit, por që e ka të vetën atë përmbajtje.”,– tha Hoxha.

Ndërsa dëgjonte vlerësimet e miqve dhe lexuesve për veprën e tij, Cerga u shpreh i lumtur, që romani arrin të depërtojë tek kushdo dhe kushdo mund të gjejë një pjesëz nga jeta e tij, në ngjarjet e veprës.

M.B.