Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Background”, në kuadër të cilit u rrestua një ditë më parë Dritan Memolla.

Operacioni, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe inteligjencës policore.

36-vjeçari, i konsideruar nga policia si shtetas me rrezikshmëri të lartë për komunitetin, lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje.

36-vjeçari, me disa precedentë penal, u kap teksa levizte me këmbë, në shkelje të një mase sigurie “Arrest në shtëpi”. Ndërkaq u proceduan penalisht edhe 2 shtetas (babë e bir) që shoqëronin të arrestuarin, për moskallëzim të krimit.

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me qytetarët, si dhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Background”, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë, për kapjen e shtetasve me rrezikshmëri për komunitetin, që lëvizin të armatosur.

Në kuadër të këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi Dritan Memolla, 36 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap në flagrancë teksa lëvizte me këmbë, në lagjen nr.15, dhe gjatë kontrollit fizik të tij, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje. Nga verifikimet ka rezultuar se 36-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për një aksident rrugor, me pasojë vdekjen. Gjithashtu, ky shtetas kishte precedent të theksuar penal për krime në fushën e narkotikëve. Në vijim, pistoleta dhe krehri i saj me fishekë luftarak, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit N. K., 56 vjeç dhe K. K., 22 vjeç (babë e bir), lidhje shoqërore të 36-vjeçarit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta 2 shtetas shoqëronin shtetasin D. M., kur u kap nga Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.