Policia italiane ka arrestuar 4 shtetas shqiptarë, të dyshuar për një seri vjedhjesh në banesa në veri dhe qendër të vendit.
Sipas autoriteteve italiane, në pranga kanë rënë një 35-vjeçar dhe një 25-vjeçar, si dhe një çift i moshave 52 dhe 33 vjeç.
Arrestimet janë kryer në zonën e Milanos, në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria e Republikës së Pesaros, që përfshin vjedhje të ndodhura mes rajoneve të Lombardisë dhe Markeve gjatë muajve shkurt-prill 2026.
Një person tjetër, rezulton të jetëë larguar drejt Shqipërisë dhe është shpallur në kërkim.
Të arrestuarit akuzohen për dhjetëra raste vjedhjesh në banesa, si dhe për veprën penale të përvetësimit të sendeve të vjedhura.
Sipas Policisë, në provincën e Milanos është zbuluar edhe një bazë operative e grupit, një garazh nëntokësor që përdorej si pikënisje për lëvizjet drejt zonave ku kryheshin vjedhjet.
Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në disa banesa, ku janë sekuestruar sende me vlerë të konsiderueshme.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet italiane po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.





