Numri i vjedhjeve në qytetin e Durrësit ka shënuar rritje, por më shqetësuese janë ato që realizohen në mënyrë të dhunshme, kryesisht nga adoleshentët. Statistikat tregojnë se në komisariate raportohen mesatarisht dy vjedhje në ditë dhe pjesa më e madhe e tyre janë realizuar me dhunë. Tre të arrestuarit e fundit per vjedhje janë shtetasit: Kongres Cuti, 24 vjeç; Arber Hadroj, 21 vjeç dhe Dritan Bajhri, 30 vjeç. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se në datë 07.11.2011, ora 23.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arbër Hadroj, 21 vjeç, banues në Xhafzotaj. Në orët e vona të mbrëmjes ky shtetas është kapur në flagrancë duke kryer vjedhje në banesën e shtetasit A.G., 60 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj. 21 vjeçari nga Xhafzotaj është autor dhe i disa vjedhje të tjera. Si rezultat i punës zbuluese e dokumentuese të kryer nga efektivat e rendit rezultoi se personi në fjalë, në bashkëpunim edhe me shtetasin Kongres Cuti, 24 vjec, banues në Tropojë, i dënuar më parë për vjedhje, dyshohet të ketë kryer të paktën 3 vjedhje banesash në lagjen 14 tw qytetit.

Sipas policisë në datë 09 nëntor, rreth orës 11.30, kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetases A.Z., 35 vjeç, në të cilën kanë marrë një sasi prej 73.000 lekë të rinj si dhe disa bizhuteri floriri. Shtetasit Dritan Bajhri iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa nga bizhuteritë e vjedhura në banesë. Gjatë mesditës së datës 8 tetor, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë vjedhur me thyerje po në lagjen 14 të qytetit, banesën e shtetasit K.H. ndërsa gjatë mesditës së datës 28 Tetor, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetases R.N, të cilës i kanë marrë disa bizhuteri. Vjedhje me thyerje të banesave apo të shtetasve të ndryshëm në lëvizje, siç janë çantat, portofolat por edhe varëset e floririt janë kthyer në tmerrin e banorëve. Nisur nga shtimi i numrit të vjedhjeve, por edhe grabitjeve më dhunë shumë kallëzime janë depozituar në komisariatin e policisë së Durrësit, Shijakut e Krujës, por zbardhja e këtyre rasteve nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme, për shkak të të dhënave të pakta të raportuara nga të dëmtuarit. Ky fenomen mbetet mjaft shqetësues për policinë e Durrësit, e cila thotë se po merr masa për parandalimin e tyre si dhe kapjen në flagrancë të autorëve të dyshuar.

Humb jetën një këmbësor, përplaset nga makina

Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një kalimtari ka ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të mbikalimit të Sukthit rreth orës 18.30, ndërsa viktima është një 37 vjeçar, me iniciale H.S. Mësohet se në momentin e përplasjes 37-vjeçari ka tentuar të kalojë trafikndarësen. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. Sipas autoriteteve lokale të policisë drejtuesi i automjetit që ka shkaktuar aksidentin me pasojë vdekje nuk është larguar nga vendngjarja. Viktima, që ka humbur jetën menjëherë, është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici për të zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik. Inspektorët e policisë rrugore pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes janë duke hetuar rrethanat e aksidentit të rëndë. Nga të dhënat paraprake mësohet se fajtor ka qenë kalimtari, i cili ka kaluar trafikndarësen dhe ka tentuar të kalonte në anën tjetër të rrugës, duke i prerë rrugën automjetit, që e ka pasur të pamundur të frenonte në kohë për të shmangur tragjedinë.