Në prangat e policisë ka rënë shtetasi A.A., 48 vjeç. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e Italisë, për kanosje dhe shfrytëzim për prostitucion. 48-vjeçari banues në Skrapar, është kapur në Berat, me qëllim ekstradimin në Itali.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Njoftimin i policisë:

DVP Berat/Bashkëpunim i vazhdueshëm me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I kërkuar nga autoritetet e Italisë, për kanosje dhe për shfrytëzim për prostitucion, kapet në Berat dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, 48-vjeçari.

Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë siguruar informacion nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për llogari të Italisë.

Në bazë të këtyre informacioneve, si dhe në vijim të bashkëpunimit intensiv për shkëmbimin e tyre, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bënë të mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit A. A., 48 vjeç, banues në Skrapar.

48-vjeçari ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Komos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shfrytëzimi për prostitucion”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.