Një arsenal armësh dhe sendesh të ndaluara është zbuluar në një banesë në rrugën “Pasho Hysa” në Tiranë, gjatë një operacioni policor të koduar “Municioni”, i finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 1.

Në pranga ra shtetasi A. D., 64 vjeç, pasi në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan:

-7 karikatorë armësh

-4 armë të ftohta

-1 pistoletë me mulli

-Uniforma dhe shkop gome si të Policisë

-Sasi të konsiderueshme municioni

Sipas burimeve zyrtare, sendet u posedonin pa leje, ndërsa hetimet nisën pas administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, që ngritën dyshime për veprimtari të paligjshme në atë banesë.

64-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë tre akuza penale:

-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,

-“Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe

-“Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të qëllimit dhe burimit të sendeve vijojnë.