Finalizohet faza e tretë e operacionit policor të koduar “Mjedisi”, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në drejtim të përdorimit dhe shfrytëzimit të guroreve, shkak për ndotje të mjedisit dhe për shpërdorim të tokës.

Arrestohet në flagrancë administratori i një guroreje, pasi ushtronte aktivitetin e nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve inerte dhe gurore, pa asnjë dokumentacion.

Më herët, gjatë fazës së parë dhe të dytë të këtij operacioni, nga kontrolli i ushtruar në territor, është arrestuar në flagrancë administratori i një guroreje që nuk dispononte asnjë dokument, si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, administratorë të 6 guroreve, për mungesë dokumentacioni, ndotje ajri dhe shpërdorim toke.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, mbështetur dhe nga FNSH Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar për evidentimin dhe ndëshkimin e subjekteve gurore që ushtrojnë këtë veprimtari, në kundërshtim me ligjin, duke ndotur ajrin dhe duke shpërdoruar tokën, kanë organizuar dhe zhvilluar fazën e tretë të operacionit policior të koduar “Mjedisi”.

Në kuadër të fazës së tretë të operacionit, në datën 26.01.2023, u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 34 vjeç, banues në Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin gurore që ai administronte, u konstatua se nuk dispononte dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit të nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve inerte e gurore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve“, “Transportimi i mbetjeve toksike” dhe “Prerja e drurëve dekoratovë e frutorë”.

Operacioni vijon deri në përfundimin e kontrollit të plotë të territorit, për të verifikuar dhe për të kontrolluar të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetet e nxjerrjes dhe të përpunimit të materialeve inerte dhe gurore.