GJILAN- Policia ka arritur të arrestojë bosen e kontrabandës me migrantë të Anamoravës, Arjeta Ibrahimin (1974), nga Tërrnoci i Madh i komunës së Bujanocit. Prokurori i rastit, Esat Ademi tha për rajonipress se ajo dyshohet për kontrabandë me migrantë, e cila me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm u ka marrë viktimave Erkan Emini dhe Muharrem Selimi nga 400, 1 000 dhe 1 500 euro për t`i transportuar në Austri nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Sipas aktvendimit për zhvillimin e hetimeve, Arjeta dyshohet edhe për falsifikim të pasaportave me viza të Zvicrës, Belgjikës e Gjermanisë. 

Prokurori tha se Prokuroria Themelore e Gjilanit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarën.

Viktimat e këtij rasti kanë thënë në hetuesi se i kanë dhënë të holla të dyshuarës dhe kanë tentuar të dalin në shtetet ku e kanë pasur destinacionin, mirëpo janë kthyer nga policia e atyre shteteve mbrapshtë pasi kanë pasur viza false.