Nga tekstet shkollore te cilësia e shkollave private. Reforma ka lënë gjurmë, por ato janë ende të pamjaftueshme për të ndryshuar rrënjësisht institucionet e dijes. Flasin specialistë e mësues të lëndëve të ndryshme.

 

Shkolla ka pësuar ndryshim në sistem e strukturë, në programe e në ide. Tani çanta e nxënësit peshon më rëndë, por ky nuk është tregues tërësisht bindës. Materiali shkencor që afron libri dhe aparati pedagogjik janë dy kolona të forta pa të cilat libri nuk mund të qëndrojë si i tillë. Thënë ndryshe, teksti nuk mund të jetë privilegj e pronë e një grupi personash të njohur si autor teksti të cilët përfshijë në përmbajtjen e librit tema të pagoditura. Edhe aparati pedagogjik, ndërsa në disa lëndë është mjaft i organizuar, në të tjerë çalon. Nën mendimin se po marrin modele të shkollave e praktikave të zhvilluara në rajon e më gjerë, ndodh që tekstet të kenë jo pak gabime (kryesisht nga përkthimi) apo edhe formulime të thata. Ka mjaft libra në arsimin parauniversitar që në aparatin pedagogjik nxitet interpretimi, diskutimi, reflektimi, analiza, sinteza që e shëndoshin shumë dhe e ndriçojnë mendjen e nxënësit.

Problemet me tekstet

Ndonëse nuk janë më ata autorë të teksteve të cilët kanë shkruar librat shkollor nën detyrimin dhe trysninë e ideologjisë komuniste, vërehet se jo pak tekste, kryesisht të disiplinave shoqërore, nuk kanë mundur të thyejnë plotësisht guaskën. P.sh. Gjergj Fishta është rehabilituar tërësisht. Po ashtu Koliqi, Konica, Camaj, Trebeshina etj. Por nuk është shkruar asnjë material në tekstin letrar se si janë shpërfillur e denigruar ata, cilët kanë qenë njerëzit e zjarrtë për t’i mohuar dhe ku e kanë marrë materialin për të përbaltur emrat e mëdhenj. Për shkak të specifikës që kanë lëndë si: Historia, Filozofia, Letërsia etj., kërkohet ndërmarrja e një revolucioni të vërtetë. Por autorët në jo pak raste kanë ndier dhimbje apo edhe kanë qenë nën peshën e ndikimit duke mos dhënë një libër të kohës, pa ndikime ideopolitike. Ka të tjera tekste që vijojnë të qëndrojnë vetëm në formatin e përpilimit të disa pyetjeve duke mos u marrë me asgjë tjetër. Është ruajtur deri diku mirë raporti teorik dhe ushtrimit praktik. Por ka raste si në Leximin e arsimit 9-vjeçar që letërsia e huaj (edhe kjo jo e seleksionuar) mban 70 përqind të programit përkundrejt asaj shqipe me 30 përqind. Në 20 vite janë ndërtuar kabinete e laboratorë, është hapur e vënë në punë në çdo shkollë salla e kompjuterve. Tani kemi shifra shumë më pozitive të rritjes cilësore të të nxënit. Megjithatë vërehet edhe ana tjetër. Nxënësi gjithnjë e më shumë po heq dorë nga libri, informacioni shtesë dhe konsulta me materialet e bibliotekës duke i zëvendësuar ata me internetin. Këtu nxënësit marrin informacion i cili nuk është shkencor, zyrtar, akademik por thjeshtë mendime të servirura nga vëzhgues të ndryshëm. Nevojë për përmirësime të mëtejshme kanë një pjesë e teksteve por kryesisht Historia e cila ka ende probleme pasi nuk ka mundur t’i shkojë deri në fund zbardhjes së shumë pikëpyetjeve dhe ngjarjeve. Një pjesë nga mungesa akteve shkresore, të tjerat nga presioni që ushtrohet. Edhe Letërsia ka problemet e saj me figurat e disidencës. Ata janë rehabilituar por nuk u është dhënë hapësira e plotë dhe nuk ka qëndrime për periudhën që i ka rebeluar. Të këtij “halli” janë edhe disiplina të tjera. Tekstet mësimore jo gjithnjë kalojnë në duart e specialistëve të mirëfilltë. Për pasojë njohuritë vinë të cunguara. Një vit më parë u aplikua vënia në qarkullim e teksteve me autorë të huaj të cilët vinin të përkthyer. Kështu p.sh ndodhi me Shkencën e Tokës 10, apo Fizikën. Praktika e hartimit të tyre nuk puqej me programet e arsimit shqiptar, kështu që u lanë mënjanë duke mos u përfshirë në vitin pasardhës. Mësuesit e lëndës Kimi 8 thonë se nuk mund të përmbushen kërkesat e tekstit me 1 orë në javë por duhen dy orë të tilla. Lënda Shërbim komunitar në pamundësi për të lidhur kontrata e marrëveshje ka bërë që nxënësi të kujdeset vetëm për higjienën e shkollës, mjedisin e jashtëm. Guida turistike programohet me një orë dhe nuk grupohet në disa shkolla. Kjo bën që nxënësi të mos mund të shohë në terren shumë nga temat e programuara. Mungesa e videoprojektorëve e bën deri diku të parakohshme këtë lëndë e cila zhvillohet deri diku formalisht. Në Edukimin Fizik ndiet nevoja e ngutshme për bazë materiale dhe terrene. Shumë shkolla janë detyruar të tkurrin hapësirën e mjediseve të saj në vitet e tranzicionit. Ato madje kanë mbetur edhe pa terrene sportive. Kështu nuk zhvillohen shumë tema për të mos thënë se është varfëruar tej mase baza materiale. Për arsye të ndryshme, duke përfshirë mungesën e bazës materiale dhe vullnetin e munguar të mësimdhënësit, shumë kabinete si ai i Kimisë, Biologjisë, Fizikës etj qëndrojnë të mbyllur duke mos u dhënë mundësi nxënësve të shohin praktikisht atë që u afrohet në teori. Letërsia 10 dhe ajo 11 thuajse janë të njëjta me fare pak ndryshim. Ka probleme në orientimin e nxënësit në epokat letrare pasi ato nuk zhvillohen në orë të veçanta. P.sh. Letërsia e vjetër shqipe, Romantizmi e kështu me radhë. Edhe Gjuha shqipe nuk ka më atë strukturë që kishte. I është dhënë hapësirë e duhur ushtrimit praktik por është lënë mënjanë disiplinimi i qartë i Fonetikës, Morfologjisë, Sintaksës. Nxënësi ka lëndët bazë dhe lëndë me zgjedhje. Këto të fundit realisht në fare pak shkolla janë përcaktuar me vullnetin e nxënësit i cili edhe kur ka pasur mundësi të vendosë nuk është se ka pasur informacionin e bollshëm dhe në kohën e duhur. Turbullim ka sjellë ndër mësues zgjedhja e shtëpisë botuese për tekstin që ata japin në mësim. Grupimeve të mësuesve në jo pak raste u rekomandohet se me cilin tekst do të punohet pa u lënë mundësi zgjedhje.

Matura shtetërore

Është klasifikuar si një nga reformat më të rëndësishme në sferën e arsimit. I është kushtuar vëmendja dhe infrastruktura e duhur. Faza e ndërgjegjësimit u krye në mënyrën më të plotë dhe përgjithësisht pati mbështetjen e vullnetshme të mësimdhënësve. Por edhe ajo nuk kaloi pa probleme të cilat nuk kishin shumë lidhje me brumin e materialit, i cili ka qenë i studiuar për të nxjerrë në pah njohuritë e nxënësve. Fjala është për mënyrën e menaxhimit në finale. Testet në asnjë rast nuk kanë dhënë tabelën e ndarjes së notës nga nota dhe kjo ka mbajtur me veshët hapur nxënësit deri në ditën e shpalljes së rezultatit. Një tjetër problem shumë serioz ka të bëjë me organizimin e testimit për lëndët me detyrim dhe ato me zgjedhje. Nxënësi në raste të tilla është vënë përballë një presioni të fortë psikologjik. Vitet e fundit (së paku në Durrës) testimi është zhvilluar në korridore shkollash dhe në palestra. Atje mungojnë përgjithësisht ndriçimi e ajrimi për të mos thënë se në disa shkolla nyjet sanitare kanë sjellë shumë shqetësim.

 

Fakti që ka një liberalizim të teksteve në të gjithë Shqipërinë, fakti që tekstet janë të shumëllojshme, është një avantazh për mësuesit e lëndëve përkatëse, veçse duhet më shumë kujdes në mënyrë që nga kjo larmi të përzgjidhen më të mirat. Ne kemi raste të mira në shumë shkolla ku tekstet janë përzgjedhur me kujdes, por ka dhe raste kur nuk ka ndodhur tamam kështu. Duket që nuk është bërë një përzgjedhje e mirë e teksteve. Për këtë si drejtoria e shkollës ashtu dhe mësuesit kanë marrë porositë përkatëse dhe ne jemi të bindur se duke filluar që nga shtatori i ardhshëm do të kemi tekste të përzgjedhura më me kujdes

Tjetër problem është mënyra menaxhimit. Nxënësit janë bezdisur pa fund deri në mërzi e stres ngase janë bërë objekt kontrolli nga çorapet deri tek flokët, veshët, mëngët, xhepat e kështu me radhë. Dhe këto veprime jo vetëm në kohën para provimit por edhe gjatë zhvillimit, jo vetëm nga administratorët por edhe nga të tjerë që vinin për të monitoruar. Ato janë shoqëruar edhe me konfrontime e zëra të ngritur. Gjatë vitit të kaluar (në Durrës por mësohet se edhe në disa rrethe të tjera) ka ndodhur që administratorë, drejtues shkolle a përgjegjës provimi të lejojnë nxënësit të shkëmbejnë informacion. Kjo i ka penalizuar nxënësit, të cilët e kanë mësuar rezultatin një muaj me vonesë. Madje ka pasur prej atyre administratorëve të cilët janë krenuar që kanë lejuar shkeljen e udhëzimeve të MASH, ndërsa nuk ka pasur penalitete. Për këto dhe ndonjë arsye tjetër dështimi i procesit ka qenë më se i artikuluar.

Kurset e detyrueshme

Nxënësit me rezultate të dobëta apo të tjerë me rezultate të mira kanë bërë kurdoherë konsulta. Deri para viteve ‘90 mësuesi gati e bënte me detyrim e pa shpërblim këtë punë. Pas viteve ‘90 gjërat ndryshua. Një pjesë e mësimdhënësve e kanë kthyer në biznes pikërisht etjen e nxënësit për të dalë nga gjendja e dobët apo të tjerëve për të marrë sa më shumë njohuri. Kurset private zhvillohen në pikë të diellit edhe pse strukturat e arsimit ankohen se nuk kanë informacione të sakta për t’i ndëshkuar. Po nëse do të kërkojnë edhe brenda radhëve të tyre do t’i gjejnë dhe jo më ndër shkolla. E keqja nuk është pse mësuesi jep orë shtesë dhe për këtë punë detyrimisht duhet paguar. Problemi qëndron tek presioni që ushtrohet tek nxënësi, duke e vendosur atë përballë detyrimit ose të mbetet apo të marrë notë të ulët, ose të shkojë tek mësuesi/mësuesja në kurset private. Në Durrës, por edhe në rrethe të tjera, janë organizuar anketime dhe nxënësit e kanë shprehur qartë ankesën. Madje kanë dhënë edhe emrat e mësuesve që ushtrojnë presion. Këta të fundit e “kanë kaluar lumin” pa “ferrë në këmbë”.

Shkollat private

Legalizimi arsimit privat qe një tjetër nismë serioze duke i hapur rrugë konkurrencës së pastër. Shoqëria dhe ekonomia në të cilën kemi hyrë ka krijuar edhe shtresimet ekonomike. Kështu një pjesë e nxënësve e kanë të pamundur të vijojnë shkollë e kolegje private. Shumë nga këto të fundit kanë staf pedagogjik të zgjedhur dhe ndjekin me shumë rigorozitet programin duke diplomuar të rinj me meritë. Por ka edhe ndryshe, madje jo pak. Lulëzimi i shumë shkollave private ka futur në mesin e tyre konkurrencën për të ulur tarifat e shërbimit. Atyre nuk u intereson ose nuk e kanë prioritet të parë kërkesën për të përmbushur kriteret, madje nuk kanë as infrastrukturën më minimale. Organet arsimore që kanë autoritetin të ushtrojnë kontrolle në to e anashkalojnë. Hamendësimet janë të shumta dhe shkojnë deri tek pohimi që pas këtyre shkollave private ka njerëz me pushtet. Nxënësi që futet në këto shkolla e ka të garantuar jo vetëm diplomën, por edhe notën e lartë, ndërsa kjo kategori në pjesën më të madhe, në masën mbi 90 përqind vijon sërish studimet, këtë herë në universitet privat.

AGIM HASANI

Teksti i Historisë nuk është shkruar ende

Lënda e Historisë dhe veçanërisht asaj që ka të bëjë me periudhën nga Lufta e Parë Botërore e deri në kohën e rënies së regjimit komunist në Shqipëri ka pasur nevojë për ta rishikuar e ribërë disa herë. Për shumë arsye kjo disiplinë lëndore është në epiqendër të gjykimit pasi historia në periudhën e regjimit komunist është shtrembëruar, përçudnuar dhe inkriminuar pa asnjë shkak e arsye. Gjatë 20 viteve të pas sistemit komunist është punuar në këtë drejtim. Megjithatë mbeten jashtë interpretimeve, analizave, teksteve teorike, materialeve ilustruese shumë të dhëna, fakte, ngjarje me rëndësi të veçantë. Duhet identifikuar fakti se është ndërmarrë një reformë e vërtetë gjatë këtyre 20 viteve të pas rënies së diktaturës në drejtim të çmitizimit ideologjik të librit shkollor, të programeve e teksteve. Por vërehet se së pari nuk është arritur në një ide të qartë për të manifestuar paanësinë ideologjike e politike në përgatitjen e materialit të tekstit. Së dyti libri ndërrohet herë pas here nën justifikimin se është e drejta e komisioneve lëndore të përzgjedhin librin e shtëpinë botuese. Më lind e drejta të argumentoj me pak fakte se shumë gjëra kanë mbetur pa u bërë, pra pa u thënë në librin për nxënësin e arsimit parauniversitar. Unë po marr vetëm Historinë e Shqipërisë, klasa 12. Konkretisht tema dyndjet sllave, pasojat e saj. Vetëm një temë e përcaktuar për këto ngjarje është pak pasi kërkon trajtim të gjerë. Nuk është thënë se nga erdhën sllavët, në cilat toka u vendosën, mënyrën barbare që përdorën për të asimiluar popullsinë ilire. Nuk janë trajtuar fakte që tregojnë prezencën e popullsisë ilire, vendbanimet, mënyrën e varrimeve, veglat e punës, gjuhën e përdorur, dallimin nga kultura të ndryshme etj. Në temën “Beteja Fushë Kosovës 1389” tregohet bashkëpunim ballkanik por nuk trajtohet prania shqiptarëve në Kosovë dhe faktimin me dokumentet e kohës dhe ato të Venedikut të cilat tregojnë për marrëdhënien që kanë ballkanasit me tregtarë kosovarë. Serbët këtë beteje me turqit e humbën, ndërsa ata e himnizojnë dhe duhet thënë në tekst arsyet që i shtyjnë serbët të bëjnë këtë hap. Edhe tek tema për pashallëqet shqiptare është shkruar pak, pasi duhet treguar se fenomeni i krijimit të tyre është tipik shqiptar dhe u mundësua nga sulltani vetëm tek popujt e konvertuar në Islam. Tema që ka të bëjë me Rilindjen Kombëtare kërkon të dalë në pah qartë ndikimi negativ i Rusisë në dëm të territoreve shqiptare. Rusët luajtën kartën e zmadhimit të shteteve sllave e ortodokse në Ballkan duke dëmtuar territoret shqiptare dhe një fakt i tillë lihet në hije. Nëse do të vijmë edhe më në ditët tona, tek tema “Kongresi Lushnjës”, figura dhe roli i Ahmet Zogut del shumë i zbehtë. Nga ana tjetër duhet pasqyruar fakti se Noli pati dështim në aspektin politik me grushtin e shtetit të 1924 dhe ndikimin bolshevik, por luajti rol patriotik në njohjen e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, duke përfituar nga miqësia me komunitetin amerikan si dhe ndikimi që pati tek presidenti Uillson. Gjithashtu nuk thuhet se vepra e tij më e vyer është themelimi Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare. Teksti duhet t’i kushtonte kujdes periudhës së qëndresës anikomuniste. Mungojnë në këtë tekst por edhe në të tjera pasqyrimi i plotë i rolit të disidencës shqiptare në të cilën kanë pasur ndikimin e tyre njerëz nga kleri, antikomunist me formim e bindje perëndimore, ish-ushtarakë dhe njerëz të fjalës së lirë. Figura si Ahmet Zogu, Mit’hat Frashëri, Sulejman Delvina, Esat Pasha, Mehmet Konica, Ali Pashë Tepelena, kleri dhe një plejadë intelektualësh të arsimuar në Perëndim ose janë përmendur shkarazi ose bardh e zi. Ende nuk është shkruar i plotë teksti historisë së Shqipërisë dhe kjo për arsye se pengohet qëllimisht nga persona të lidhur me shumë fije me regjimin komunist.

FATBARDH GJATA

Në tekst mungojnë përballjet filozofike

Qytetaria si lëndë njihet më së miri pasi është disiplinë e zhvilluar edhe para viteve 1990. Tani vërehet se i është dhënë më shumë hapësirë koncepteve të reja, ndryshimeve të reja demokratike, strategjisë së shtetit në udhën e transformimeve të mëdha. shkruhet e flitet më shumë për barazinë sociale, lirinë e besimit, të drejtat universal. Nxënësi merr njohur për mendimet që kanë dhënë filozof dhe emra të mëdhenj si Xheferson, Xh. Mill, Tomson etj. Legjislacioni është kapitull më vete me të gjitha detajet. Hapësirë i është kushtuar koncepteve teorike Lënda është konceptuar deri diku mirë. Doktrinat filozofike duhet të jepen të qarta, të asimilueshme nga nxënësi, me tekste reference apo informacione shtojcë. Qytetaria është disiplinë që duhet të orientojë më shumë veprimin praktik, harmonizimin e saj me anën teorike.

SHKËLQIM CECI

Çdo eksperiment e realizoj në laborator

Ndodh shumë rrallë që në një shkollë të realizohen pa asnjë mëdyshje të gjitha punët praktike, punët laboratorike dhe eksperimentet. Kjo për shumë arsye të cilat lidhen që nga baza materiale, kushtet e laboratorit, dëshira e mësuesit dhe kërkesa për ta realizuar në masën e duhur programin. Në shkollën e arsimit 9-vjeçar në ish-kënetën e Durrësit, mësuesi Shkëlqim Ceci realizon çdo eksperiment në laboratorin e ngritur me duart e tij. Ai bën të ditur se nuk ka mangut asnjë kimikat dhe se nuk ka ndodhur që qoftë në një rast të vetëm t’i ketë dështuar eksperimenti. Laboratori në këtë shkollë është ngritur nga vetë mësuesi Shkëlqim Caci, vullneti dhe puna e tij prej më shumë se 18 muajve. Ai tregon se ka pasur ndihmën e pakursyer të komunitetit prindër e nxënës, drejtorisë arsimore të Durrësit, Ministrisë së Arsimit e Shkencës, bashkisë dhe biznesit. Sot në mbarë vendin numërohen me gishtat e dorës rastet e realizimit të të gjitha eksperimenteve në laboratorin e shkollës dhe pajisjen e laboratorit me të gjitha kimikatet e bazën e nevojshme. Aty gjenden në vendin e vet, të sistemuara, të skeduara dhe të pastra gjithçka që ka të bëjë me nevojën e eksperimentit në laborator. Aneksi është vendi ku janë sistemuar kimikatet dhe aty futet vetëm mësuesi apo nxënësit e caktuar të çdo klase, të cilët e dinë përmendsh se ku gjendet materiali që do të përdoret në eksperimentin e radhës. Laboratori ka një vlerë rreth 50 milion lekë, por mësuesi Shkëlqim Caci thotë se nuk ka një statistikë të tillë për të përcaktuar se sa është vlera e gjithçkaje që gjendet në kabinetin e tij të punës.