Arti i të mëdhenjve në traditën e historisë së basketbollit

-Sentimenti shkon paralel me mosharresën

-Ndër ta Bashkim Taga, Feti Borova, Dhimitraq Goga, Agim Fagu, Niko Profkola, Kujtim Kasmi, Gazmend Çaçi, Nysret Reka, Ibrahim Kurtbegovi, Vladimir Agaraj, Sabri Rustemi, Kujtim Kasmi, Kastriot Mushi, Pirro Koleka e….

Nga BUJAR QESJA

Nga personazhet që e përbëjnë këtë pamje, pesha e kësaj fotoje rritet shumë. Është aq e rëndë, sa ngarkesa e kujtimeve dhe e përjetimit.

Janë 24 individë, me histori të ndryshme, por që kanë të përbashkët basketbollin. Teksa e vështroj këtë pamje historike, ekrani i memories më krijon infinitin e madhësisë dhe më gjëmojnë thirrjet e fuqishme të tifozërisë, apo sportëdashësve tiranas dhe durrsakë. Basketbolli një sport intelektualësh, qytetarësh të avancuar, studentësh dhe profesorësh, nxënësish dhe pedagogësh. Emra që bënë legjënden dhe historinë, por që u mbështetën në miqësi dhe respekt, në mirkuptim dhe bonsens, në një shoqëri që nuk ndryshket dhe vjetrohet në jetë të jetëve.

Duhet të jetë një foto e vitit 1995. Lidhur kjo me siguri edhe me një ngjarje jetësore. Është 70 vjetori i lindjes së kalorësit të basketbollit Dhimtraq Gogës. Jam treguar i përpiktë në zbërthimin një për një, të të gjithë atyreve që janë vëllazëruar në një ndeshje prekëse, nostalgjie basketbolli, duke revokuar arritjet më të ndritura të topkoshit shqiptar. Po të lexoni me vëmëndje emrat e tyre, do të bindeni se sa histori ka brenda dhe sa e pakufishme është sipërfaqja e përjetimit dhe mbresave.

Në ballë të fotos janë tre emra të famshëm, shumë të famshëm, që është vetë historia. Janë së bashku dhe po së bashku “flejnë” në botën e përtejme Feti Borova, Bashkim Taga dhe Dhimitraq Goga. Fuqia e punës së tyre mbetet e pandryshuar. A mund të zbehet historia? Dhe çfarë historie!

Miqtë nga Tirana, të përbërë nga basketbollistë me mjekërr të “Partizanit” dhe “17 Nëntorit”, vijnë dhe bashkohen me vëllezërit e tyre durrsakë të “Lokomotivës” dhe “Teutës”, për të bërë një ndeshje ku të tundet shpirti, e të lëkundet zemra. E kujtoj atë ditë dhe na çfaqen personazhet më pikantë të basketbollit të viteve 70-të, 80-të me ngjyrat më të bukura, më tërheqëse. Tani janë veteranë, por memoria e jonë i ka fiksuar, kur ishin veshur me kostumin e mahnitshëm të një konkurimi që i kalonte kufijtë e basketbollit shqiptar. Pas ndeshjes me “Oransodën”, Agim Fagut i erdhën oferta joshëse nga klube të fuqishme italiane të basketbollit. Po kështu edhe disa yjeve të tjerë të topkoshit shqiptar.

Edhe Bashkim Taga, nga specialistët e diplomuar nga shkolla shumë e njohur e basketbollit jugosllav, kërkohej nga kolegët e tij, që ishin drejtues kryesor të topkoshit të këtij shteti. Feti Borova trajner i ekipit kombëtar, që tregoi artin e drejtimit nga më spikatësit. Dhe Dhimitraq Goga përgjigjet me historinë e ndritshme të basketbollit të të rinjve të “Lokmotivës”, këtyre harlemave të pazëvëndësueshëm. Sa me fat që i kam ndjekur ata, por edhe se kam shkruajtur dhe folur për ata. Por pa harruar drejtuesin suksesshëm të klubit sportiv “Lokomotiva” dhe “Teuta” tw mirin dhe të urtin Anesti Petani.

Dhe u mblodhën, diku nga vera e vitit 1995 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Kujtuan historinë. Kujtuan vlerat e një basketbolli, që nuk ka për t’u zvenitur kurrë. Mund të shkruash gjatë për secilin. Fakte, histori, rivalitet. Tifozëria ndizej dhe nuk shuhej. Durrësi mban mbi vete një histori nga më të bukurat, kur emrat e këtij më të spikatur janë në këtë foto.

Mall, emocion, drithërima, kujtime të pashlyeshme, që shpërndajnë aromën e këndshme si një tufë lule maji. Është historia e jonë, e personazheve më të spikatura të saj, që barazohet më traditën e palëkundur të atij brezi ëndërrimtarësh, që ia dolën ndonëse në rrethim të plotë.

Mirënjohje! Njëmijë herë mirnjohje, duke i rindezur bateritë e kujtesës në përmasat e mallit dhe nostalgjisë së pashuar.

Durrës: 20 maj 2021

Në Foto: Në këmbë nga e majta: Kastriot Mushi, Sabri Rustemi, Shkëlqim Kuqo, Ilia Xhako, Gjon Luli, Feti Borova, Dhimitraq Goga, Bashki Taga, Nysret Reka, Anesti Petani, Gazmend Çaçi, Alqi Dhroso, Lavdosh Aliaj, Vladimir Agaraj, Agron Islamaj.

Në gjunjë nga e majta. Pirro Koleka, Niko Profkola, Kostandin Shkurti, Agim Fagu, Mithat Peku, Kujtim Kasmi, Ibrahim Kurtbegovi, Sokol Hyseni dhe Thanas Çumashi.