Një avion pasagjerësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan” të mërkurën në mbrëmje, njoftuan zyrtarët.

Një burim i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ka shumë viktima, por bilanci është i paqartë. Nuk ka ende ndonjë të dhënë mbi shkaqet e aksidentit. Të gjitha fluturimet nga aeroporti “Regan” janë anuluar, ndërsa helikopterë nga agjencitë e zbatimit të ligjit përgjatë gjithë rajonit shkuan në vendngjarje në kërkim të të mbijetuarve.

Gazeta “Washington Post”, duke cituar burime, raportoi se nga uji janë nxjerrë disa trupa. Sipas gazetës, deri tani nuk ka patur të mbijetuar.

Senatori nga Teksasi, Ted Cruz tha në një postim në rrjetet sociale “se e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi.

Miq, familjarë dhe të afërm të pasagjerëve u mblodhën në aeroportin kombëtar të Uashingtonit “Reagan” duke kërkuar më shumë informacion.

Policia tha se agjenci të shumta janë përfshirë në një operacion kërkim- shpëtimi në lumin Potomak.

Aeroporti njoftoi të mërkurën se ishin ndërprerë të gjitha fluturimet dhe se personeli i urgjencës iu përgjigj një aksidenti ajror.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se ishte informuar mbi atë që e cilësoi “një aksident të tmerrshëm” dhe se po e mbikqyrte situatën.