Azia do të fitojë më shumë fuqi politike se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa së bashku në vitin 2030, thotë një parashikim i një agjencie inteligjence në SHBA.Sipas parashikimit, brenda dy dekadave Kina do të kalojë Amerikën si ekonomia më e madhe në botë, ndërsa vendet perëndimore do të pësojnë një rënie të standarteve me popullsinë që plaket.

Studimi “Global Trends 2030”, i publikuar kur presidenti amerikan Barack Obama sapo ka fituar mandatin e dytë, thotë se synimi i tij është promovimi i hartimit të një strategjie.

I publikuar çdo katër vjet, raporti i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës synon të mbledhë së bashku fuqitë perëndimore për të udhëhequr transformimin e botës.

KKI sugjeron se brenda vitit 2030, Azia do të ketë më shumë pushtet se SHBA dhe Evropa së bashku, duke pasur parasysh përmasat e popullsisë, GDP-në, shpenzimet ushtarake dhe investimet në teknologji.

“Vetëm Kina do të ketë sipas të gjitha gjasave ekonominë më të madhe, duke kaluar atë të Shteteve të Bashkuara pak vite para se të arrihet viti 2030”, thotë raporti.

“Ndërkohë, ekonomitë e Evropës, Japonisë dhe Rusisë kanë gjasa që të vazhdojnë me një rënie të ngadaltë”, vlerësohet më tej në të.

Por studimi nënvizon se Kina nuk do të ketë atë pushtet që kanë Shtetet e Bashkuara dhe nuk do të mund të marrë në dorë drejtimin e çështjeve ndërkombëtare.

“Të jesh fuqia më e madhe ekonomike është e rëndësishme, por nuk është domosdoshmërisht fuqia ekonomike ajo që të bën një superfuqi”, deklaroi Mathew Burrows, këshilltar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës.