TIRANË – Deputeti socialist, Taulant Balla, ka akuzuar sërish vajzën e kryeministrit Sali Berisha, se është mësuesja më e paguar në Europë dhe ka dëshmuar edhe me foto shtëpitë e shumta të saj në zona luksi, si dhe qiratë deri në 42 milionë lekë në vit që vjel ajo prej pronave të saj.
Sipas Ballës një shumë të madhe të ardhurash Argita Malltezi e siguron nga qiratë dhe pronat e paluajtshme që kjo zonjë disponon në të gjithë Tiranën e madje edhe më tej.
"Janë tre apartamente super luksoze në Tiranë, në Rrugën Mustafa Matohit, aty ku jeton edhe babagjyshi Kryeministër; në rrugën Lidhja e Prizrenit; dhe tek European Trade Center (ETC), të cilat janë prona të zonjës Berisha dhe që ajo thotë se i ka dhënë me qira",- tha Balla.
Deputeti socialist bëri publike edhe vlerën e qirasë me të cilën Argita i ka lëshuar apartamentet.
“Dhe çfarë qirash mblidhka: 900 Euro në muaj, 1170 Euro në muaj dhe 1450 Euro në muaj. Për t’ju treguar më qartë shqiptarëve të thjeshtë dhe me plot halle se cila është diferenca e vërtetë ndërmjet tyre dhe vajzës së Kryeministrit, mjafton t’u themi se sipas deklaratave të pasurisë të kësaj zonje, për njërin nga këto apartamente, atë në rrugën Mustafa Matohiti, ajo ka shpenzuar plot 378 milionë lekë për ta blerë. Bëhet fjalë për një “shtim në sipërfaqen e apartamentit” siç deklarohet nga vetë ajo, prej 121 metrash katrorë, vijuar nga blerja e një tjetër apartamenti tjetër në po atë kat, me një sipërfaqe prej 195 metrash katrorë, në total 316 metra katrorë apartament”.
Balla nuk la pa përmendur edhe vilat që vajza e kryeministrit zotëron në bregdetin e Durrësit.
“Për këtë listë pronash pafund të paluajtshme duam ta pyesim edhe për një vilë qindra metra katrorë në Gjirin e Lalzit, vend i preferuar për oborrin e pushtetit dhe rezidenca verore e bllokut të ri blu. Një super vilë që po mbaron tashmë, pas shembjes së një vile tjetër. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto 200 milionë të ardhura, në deklaratën e vitit të shkuar shtohen edhe nja 8 mijë Euro, para xhepi, “pagesa të prapambetura nga aktiviteti tregtar, që sipas vetë kësaj zonje e kishte ndërprerë dy vite më parë, për t’iu përkushtuar mësimdhënies.
Thënë më qartë, vajza e kryeministrit të vendit fiton plot 17.5 milionë Lekë në muaj, pra më shumë se 210 milionë lekë në vit, një pagë kjo e krahasueshme me pagat e Presidentëve, zëvendës Presidentëve apo Kryeministrave të vendeve të zhvilluara. Po kjo shumë do të mjaftonte për të zgjidhur problemet e dhjetëra familjeve të zhytura në nevojë nga babai i zonjës Argitë, duke filluar nga pensionet e invalidëve që nuk jepen prej muajsh",- thuhet më tej në deklaratën e deputetit socialist.