Banka Botërore ka paralajmëruar qeverinë se deficiti prej 3.4 për qind, i cili e çon shifrën e borxhit në 62.6 për qind të prodhimit është një sinjal i keq për rritjen ekonomike. 

Në një intervistë dhënë për Reuters shefja e misionit të Bankës në Shqipëri, Kseniya Lvovski deklaroi se shkelja e kufirit prej 60 për qind nuk është një sinjal i mirë për tregjet dhe për rritjen ekonomike të vendit.

Sipas saj Shqipëria duhet të fokusohet në konsolidimin e financave të saj. "Qeveria duhet të përmirësojë mbledhjen e taksave dhe të shtrëngojë shpenzimet për rrogat dhe pensionet",- ka thënë Lvovski për Reuters.

Por në buxhet Qeveria ka parashikuar një deficit prej 3.4 për qind, i cili e çon shifrën e borxhit në 62.6 për qind të prodhimit pa përfshirë garancitë që do jepen për importin e energjisë elektrike. Ky defiçit do të thotë se vitin e ardhshëm qeveria do të marrë 490 milionë dollarë borxh për të financuar shpenzimet e saj. 

Fondi Monetar Ndërkombëtar i pati kërkuar qeverisë, që për vitin e ardhshëm ta mbante borxhin në nivelin 60 për qind si në vitin 2012. 

"Financimi i deficitit të lartë është një tjetër shqetësim imediat në kushtet, kur ekonomia po ngadalëson dhe kreditorët në tregje janë bërë më të kujdesshëm",- ka thënë Lvovski.