Rreziku që u kanoset banorëve të Porto Romanos nga fabrika e gazit në këtë zonë, i ka drejtuar sot në dyert e Prefekturës.

Gjatë vitit të kaluar në këto zonë janë regjistruar dy rrjedhje gazi e për pasojë të gjitha familjet janë evakuuar. Përgjigja e marrë sot nga prefekti Emiljan Jani, nuk u ofron zgjidhje.

“Prefekti na tha nuk kam çfarë të bëj më tepër. I kam njoftuar institucionet dhe pres përgjigje.”,- thotë Zef Shelna, pas takimit me Janin në zyrën e këtij të fundit.   

Përmes disa protestave, ata kanë kërkuar largimin e fabrikës, sepse vë në rrezik jetën jo vetëm të këtij komuniteti, por të të gjithë banorëve të Durrësit.

“Nëse do të pëlcasin ato bombulat e gazit, jo 10 mijë banorë që janë në Porto Romano, por merr fund i gjithë Durrësi. Ne u kemi kërkuar të gjitha institucioneve të na i heqin ato bombula dhe t’i zhvendosin në një vend më të përshtatshëm dhe të sigurt”.

Nëse kërkesat e tyre bien në vesh të shurdhët, zgjidhja e tyre mbetet një e vetme.

“Do rrethojmë të gjithë fabrikën mos t’i lëmë punëtorët as të hyjnë e as të dalin. Është e vetmja rrugëzgjidhje për ne, se na u kanë sos të gjitha rrugët”,- thotë banori i zonës.

Gjatë muajve të fundit në këtë fabrikë kanë ndodhur disa shpërthime të fuqishme, duke krijuar panik të banorët. Fabrika është ngritur në një zonë të banuar, ndërsa pranë saj ndodhet shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”.

M.B.