Është detyrë e shoqërisë dhe në rradhë të parë e vetë grave për të bërë më shumë përpjekje për një përfshirje më të madhe dhe aktive të gruas si në jetën publike ashtu dhe në atë politike

Të qënit bashkëshorte, nënë dhe grua në karrierë nënkupton përpjekje të shumëfishta për një femër, që mundohet të japë maksimumin si në sferën familjare ashtu dhe në profesionin që ushtron. Ky është opinioni i drejtoreshës së Shërbimit Social pranë bashkisë së Durrësit, Meme Xhaferaj. Sipas saj stereotipet që e përkufizojnë femrën si diçka delikate që ka nevojë për përkujdesje duhet të luftohen para së gjithash nga vetë gratë. Ndërsa nënvizon se shoqëria shqiptare duhet të ndërmarrë inisiativa më konkrete ligjore për shtimin e rolit aktiv të gruas në të gjitha sferat e jetës dhe për barazinë gjinore, ajo thekson se pikë së pari promovimi i aftësive të tyre profesionale dhe krijuese u takon si detyrë vetë grave shqiptare.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Te jem e sinqertë ndërtimi i karrierës për një grua mbetet akoma një sfidë për të. Megjithëse gratë në ditët e sotme kanë arritur nivele të larta të edukimit dhe kanë potenciale për të bërë karrierë, integrimi i tyre në nivele të larta të jetës publike dhe tregut të punës lë akoma për të dëshiruar. Ato vendosen shpesh mes dilemës midis rritjes së fëmijëve apo zhvillimit të karrierës. Shumë prej tyre si rezultat i stereotipeve tradicionale gjinore dhe mendësisë patriakale mashkullore të shoqërisë vazhdojnë të heqin dorë nga zhvillimi i karrierës. Të qenit “femërore” dhe “përkujdesje” konsiderohen si elemente të pandashëm të identitetit femëror. Mospërshtatja e orareve, mungesa e politikave favorizuese për nënat e reja, si dhe mungesa e shërbimeve të tjera mbështetëse janë pengesat kryesore që e bëjnë shpeshherë të vështirë udhëtimin e gruas në proçesin e zhvillimit të karrierës. Kështu që, të qenit një grua në karrierë vazhdon të përbëjë një fenomen të vështirë për shumë gra dhe vajza. Problemet janë nga më të ndryshmet, pasi një gruaje i duhet të përballojë vështirësi të shumëfishta që lidhen me rolin e saj si femër, nënë apo bashkëshorte. Një femre në karrierë i duhet të ndërtojë raporte të tilla mirëkuptimi dhe bashkëpunimi si në familje dhe në punë, duhet të tregohet e matur dhe shumë e mençur dhe mbi të gjitha duhet të tregojë aftësitë e saja profesionale.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Sigurisht, për të arritur objektivat që i kam vënë vetes më është dashur dhe më duhet të sakrifikoj shumë, të punoj shumë në të gjitha drejtimet me qëllim për të realizuar të gjitha pritshmëritë e mia si grua në karrierë, nënë apo bashkëshorte. Ndërkohë, gjatë gjithë këtyre viteve më është dashur të investoj në drejtim të ngritjes time profesionale dhe akademike.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Roli i gruas në proçesin e vendimmarrjes paraqet një nga sfidat kryesore në shoqërinë shqiptare. Në një farë mase përballemi edhe me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës dhe na duhet të shpenzojmë nga koha jonë për të sqaruar dhe bindur atë pjesë skeptike të shoqërisë. Ndërkohë më duhet gjithashtu të përmend që ka gjithashtu dhe shumë kolegë që janë mbështetës dhe kanë vlerësuar vazhdimisht punën e grave dhe ngritjen e tyre profesionale si dhe rrugëtimin në karrierë. Raportet janë të tilla që çdo punonjës ka punën e tij dhe është i përgjegjshëm për të, ndërkohë që drejtuesi përgjigjet për organizimin, kryerjen e detyrave  si dhe realizimin e objektivave dhe qëllimit të përbashkët.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Numri i grave në karrierë në pozicione drejtuese në partitë politike, në biznes apo në administratën publike ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje. Unë personalisht kam patur gjithnjë marrëdhënie shumë të mira me vartëset femra dhe kam qenë gjithnjë mbështetëse dhe promotore e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe komunikimit të mirë. Unë gjithmonë mbështes idenë për një shoqëri ku promovohet dhe mbështetet pozicioni i gruas në nivele të larta vendimmarrëse. Prandaj është detyrë e shoqërisë dhe në rradhë të parë e vetë grave për të bërë më shumë përpjekje për një përfshirje më të madhe dhe aktive të gruas si në jetën publike ashtu dhe në atë politike.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?

Barazia gjinore është një gur themeli në proçesin e zhvillimit demokratik të një kombi. Prandaj është e nevojshme të luftohen dhe të bëhen përpjekje konkrete për të minimizuar këto pabarazi, të cilat karakterizojnë si familjen, komunitetin, tregun e punës dhe në përgjithësi shoqërinë. Një sërë nismash ligjore janë ndërmarrë për të plotësuar kuadrin ligjor në lidhje me barazinë gjinore në nivele të ndryshme. Në këtë kuadër është shumë e rëndësishme që këto nisma ligjore të fillojnë të bëhen realitet. Kjo mbetet një detyrë jo vetëm e strukturave shtetërore, por edhe e organizmave të tjera joshtetërore kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe një impenjim i shoqërisë në përgjithësi.