Bashkia Durrrës njofton shorteun publik të radhës, ku do të ndahen apartamentet e pallateve të reja në sitin e rindërtimit në Manzë.

Në datën 19 korrik, në sallën e Këshillit Bashkiak do të mbahet shorteu publik, duke nisur nga ora 09.00.

Deri më tani, bashkia Durrës ka zhvilluar dy shorte publik për zonën e Manzës, njëri në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe tjetri në janar të këtij viti.

“Bashkia e Durrësit njofton përfituesit nga programi i rindërtimit se shorteu publik me objekt shpërndarjen / caktimin, midis përfituesve nga procesi i rindërtimit, të banesave kolektive me seksion A-1, A-3, A-4, B-1, B-2, B-3 dhe B-4 të ndërtuara në Zonën e Re për Zhvillim Manëz do të zhvillohet më datë 19.07.2022 në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës, pranë Bashkisë Durrës, kati II duke filluar nga ora 09:00.

Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik”,- njofton bashkia.

Ndërkohë, personat përfitues që nuk mund të jenë të pranishëm ditën e hedhjes së shorteut mund të përfaqësohen me prokurë.

Në shorteun e parë publik u shpërndanë 42 apartamente në Manzë, ndërsa në shorteun e fund janarit 2022 u shpërndanë 50 apartamente të tjera.

Në sitin e rindërtimit në Manzë janë ndërtuar 230 apartamente për të pastrehët e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Megjithëse kryeministri Rama, në fund të muajit mars, pak pas zgjedhjeve të pjesshme, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të 230 apartamenteve, fakt është që pjesa më e madhe e tyre ende nuk janë shpërndarë tek familjet përfituese, sepse nuk janë zhvilluar të gjithë shortet publike.  

Njoftimi i plotë:

Në mbështetje të Ligjit 139/2015 ’’Për vetëqeverisjen vendore’’, Aktit Normativ nr. 9, datë  16.12.2019 të Këshillit të Ministrave, ‘’’Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore’’, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 592, datë 13.10.2021 Për disa shtesa në vendimin nr. 904, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Përcaktimin e rregullave, të kategorive prioritare, masës së përfitimit, autoriteteve përgjegjëse dhe procedurave për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, Vendimit të Këshillit Bashkiak Durrës nr. 138, datë 28.10.2021, ’’Për miratimin e Regullores për procedurat e zhvillimit të shorteut manual në bashkinë Durrës në kuadër të rindërtimit’’,

Bashkia e Durrësit njofton përfituesit nga programi i rindërtimit se shorteu publik me objekt shpërndarjen / caktimin, midis përfituesve nga procesi i rindërtimit, të banesave kolektive me seksion A-1, A-3, A-4, B-1, B-2, B-3 dhe B-4 të ndërtuara në Zonën e Re për Zhvillim Manëz do të zhvillohet më datë 19.07.2022 në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës, pranë Bashkisë Durrës, kati II duke filluar nga ora 09:00.

Nëpërmjet këtij njoftimi thirren të gjithë përfituesit sipas listës bashkëlidhur.

Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik.

Personat përfitues në pamundësi për të qenë pjesmarrës në këtë shorte publik mund të përfaqësohen me prokurë. Në këto raste zbatohen dispozitat ligjore të përfaqësimit.