50 apartamente që janë drejt përfundimit në sitin e pallateve të reja që po ndërtohen në Manëz u hodhën paraditen e sotme në një short publik, që u zhvillua në qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu”.

Pas firmosjes së kontratave disa ditë më parë në ambientet e bashkisë Durrës, sot 50 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti iu gëzuan shtëpisë së re që pritet ta marrin në dorëzim brenda një kohe shumë të shkurtër.

Në shorteun publik ishin gjithsej 50 apartamente 1+1, 2+1 dhe 3+1, që i përkasin banesave kolektive me seksion A-1 dhe B-3, të cilat janë drejt përfundimit.

Ky është shorteu i dytë publik që zhvillohet për familjet e pastreha të njësisë administrative Manëz, pas atij të zhvilluar në mesin e muajit nëntor, ku përfituan banesa të reja 42 familje.

Pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit, qeveria Rama shpalli me një VKM të posaçme zonën e re për zhvillim në Manëz, ku po ndërtohen 9 banesa kolektive 5 dhe 6 katëshe, ku do të sistemohen rreth 226 familje.

Siti i ri në Manzë përveç njësive të banimit do të ketë zona parkimi, objekte shërbimi, qendër shëndetësore, qendër multifunksionale, kopësht dhe fusha sportive.

M.B.