U zhvillua sot shorteu publik për ndarjen e 42 apartamenteve të para në 2 banesa kolektive të ndërtuara në sitin e Manzës, për qytetarët që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako u shpreh e lumtur që pas rreth 2 vitesh nga fatkeqësia natyrore familjet e para po sistemohen në shtëpi të reja, që do t’u dorëzohen banorëve brenda këtij viti.

“Për ne është një sukses, është një demostrimi i punës që është bërë nga bashkia dhe qeveria shqiptare në këto dy vite.”,- tha Sako.

Durrësi ishte bashkia më e dëmtuar nga tërmeti i dy viteve më parë, me humbje në jetë njerëzore dhe dëme kolosale materiale. Brenda këtij viti do të dorëzohen 4 pallatet e para të përfunduara, 2 në Durrës dhe 2 në Manzë. Këshilli Bashkiak Durrës miratoi në një mbledhje të tij metodologjinë e ndarjes së apartamenteve që konsiston në shorte publik si dhe dakordësi mes banorëve.

“Durrësi ka një specifikë ndyshe nga qytetet e tjera, një volum i madh i objekteve do të ndërtohen atje ku kanë qenë dhe këto pallate janë parashikuar që të ndërtohen duke marrë në konsideratë familjet që kanë jetuar në to”.- tha kryebashkiakja.

Të mbetur prej dy vitesh pa shtëpi, qytetarët përfitues u shprehën të kënaqur për banesën e re. Në fillim ata ishin skeptik për rindërtimin e banesave të tyre, por tashmë që siti i ri është bërë realitet ata ndihen falenderues ndaj bashkisë dhe qeverisë shqiptare.

Pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit, qeveria Rama shpalli me një VKM të posaçme zonën e re për zhvillim në Manzë, ku po ndërtohen 9 banesa kolektive 5 dhe 6 katëshe, ku do të sistemohen rreth 226 familje.

Siti i ri në Manzë përveç njësive të banimit do të ketë zona parkimi, objekte shërbimi, qendër shëndetësore, qendër multifunksionale, kopësht dhe fusha sportive.    

M.B.