Bashkia Durrës njofton se me datë 17 qershor do të zhvillojë shorteun publik gjatë të cilit do të shpërndahen tek përfituesit apartamentet e pallatit nr.1062, në rrugën “26 nëntori” (pranë Drejtorisë së Policisë).

Godina në fjalë ishte ndër pallatet e para të shembura në Durrës, pasi akt-ekspertiza e Institutit të Ndërtimit e nxorri të pabanueshëm për shkak të dëmeve të pësuara nga tërmeti i dy viteve e gjysëm më parë.

“Bashkia e Durrësit njofton përfituesit nga programi i rindërtimit se shorteu publik me objekt shpërndarjen / caktimin, midis përfituesve nga procesi i rindërtimit, banesës kolektive me nr.1062 rruga 26 Nëntori”, do të zhvillohet më datë 17.06.2022 në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës, pranë Bashkisë Durrës, kati II duke filluar nga ora 09:00”,- njofton në faqen e tij zyrtare institucioni i qeverisjes vendore.

Në të njëjtën kohë, bashkia paralajmëron penalizimet që mund të kenë banorët nëse nuk paraqiten.

“Mosparaqitja në këtë shorte e personave përfitues i heq të drejtën e ankimimit apo pretendimeve lidhur me rezultatet e këtij shorteu publik. Personat përfitues në pamundësi për të qenë pjesmarrës në këtë shorte publik mund të përfaqësohen me prokurë. Në këto raste zbatohen dispozitat ligjore të përfaqësimit”,– sqaron më tej në njoftim bashkia.

Pallati nr.1062, së bashku me pallatin e VIP-ve ishin dy godinat e para kolektive që nisën të rindërtohen në Durrës.

Ajo që bën habi në mbajtjen e shorteut publik është fakti se kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, pati deklaruar se për këto dy pallate nuk do të hidhej shorte publik, sepse apartamentetet do të ndaheshin me dakordësi mes banorëve (deklarata e bërë më dt. 15 nëntor, gjatë zhvillimit të shorteut të parë për pallatet e Manzës – SHIKO VIDEON KETU)

“DurrësLajm” mëson se një pjesë e banorëve të këtij pallati nuk janë vënë në dijeni të zhvillimit të shorteut, për më tepër që muaj më parë ata kanë diskutuar me autoritetet ndarjen e apartamenteve dhe është arritur një dakordësi paraprake.

Kujtojmë se banorët e këtij pallati u njoftuan në vitin 2020 vetëm pak ditë para shembjes së pallatit, se duhet të linin apartamentet, ku shumica prej tyre vazhdonin të banonin fill pas tërmetit të 26 nëntorit.

Madje edhe dy këshilltarë bashkiakë që banonin në këtë godinë nuk ishin në dijeni të faktit se godina do shembej, megjithëse projekt vendimi i paraqitur nga bashkia kishte kaluar për miratim në Këshillin Bashkiak!

M.B.