Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjatë fjalimit të saj sot në asamblenë e përgjithshme të Konfederatës Italiane të Industrialistëve (Confindustria), ka kritukuar mënyrën se si funksionon sot Bashkimi Europian, duke e cilësuar atë një “gjigant burokratik” që ka dëmtuar konkurrueshmërinë dhe zhvillimin strategjik.

“Vështirësia kryesore që na shqetëson nga afër është mënyra se si po formësohet Bashkimi Evropian sot. Është një gjigant burokratik që shumë shpesh ka sakrifikuar konkurrencën dhe zhvillimin strategjik në altarin e qasjeve ideologjike dhe teknokratike”, tha Meloni.

Meloni kritikoi gjithashtu rrjedhën e përgjithshme të politikave evropiane, duke argumentuar se Bashkimi ka zgjedhur të rrisë rregulloret, pa demonstruar të njëjtën vendosmëri në nivel ndërkombëtar.

“Evropa ka shumëfishuar pafundësisht rregullat në çdo fushë të jetës sonë. Megjithatë, ajo është karakterizuar nga një qëndrim miop, kur zëri i saj ka pasur nevojë të dëgjohet në çështjet ndërkombëtare”, deklaroi ajo në mënyrë karakteristike.

Kryeministrja italiane u përqendrua njëkohësisht në nevojën për të forcuar rolin e politikës në institucionet evropiane, duke theksuar se kërkohet një ekuilibër i ndryshëm midis vendimeve politike dhe mekanizmave administrativë.

“Unë besoj se duhen bërë përpjekje të mëtejshme për ta rikthyer politikën në qendër të institucioneve evropiane. Kjo do të thotë që një parim i vetëkuptueshëm i demokracisë duhet të bëhet përsëri i qartë. Burokracia duhet të zbatojë direktivat e politikës, jo t’i zëvendësojë ato”, përfundoi Giorgia Meloni.