Goga Basket ka mundur 102-89 Partizanin në sfidën kryesore të javës së 4-t të Superligës në basketboll për meshkuj, duke i shkaktuar skuadrës kryeqytetase humbjen e parë në kampionat.

Për pasojë, tri skuadra në kuotën 7 pikëve ndajnë kreun e renditjes pas ndeshjeve të luajtura sot, ku spikat edhe fitorja e Tiranës ndaj Vllaznisë.  Partizani rezistoi vetëm një pjesë loje në ndeshjen ndaj Goga Basket, pasi më tej në fushë loja foli për ekipin durrsak, që nisi të shkëputej dhe e meritoi fitoren. 

Në periodën e tretë, ekipi i Goga Basket krijon epërsi, duke përfituar edhe nga një çoroditje në fushë e Partizanit, që nisi të gabojë dhe të humbasë terren. Avantazhi prej 20 pikësh që u krijua u administrua me kujdes nga vendasit, që rikthehen te suksesi në kampionat pas humbjes në derbi një javë më parë.