Teuta është finalistja e dytë në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj për edicionin 2023-2024 dhe do të matë forcat me Besëlidhjen për titullin. Durrsakët e kanë fituar serinë e gjysmëfinaleve ndaj Vllaznisë me rezultatin 3-2, teksa kaluan me sukses ndeshjen e pestë. Skuadra e Nikola Milatoviçit shfrytëzoi avantazhin e fushës, duke marrë tripletë triumfesh në shtëpi, i fundit mbrëmjen e djeshme në shifrat 79-70. Edhe sfida e pestë në “Ramazan Njala” rezultoi me rivalitet, teksa të dyja ekipet luftuan fort për të kapur finalen. Të zotët e shtëpisë u treguan më të qartë në momentet vendimtare, për t’u rikthyer në finale pas 2 vitesh.

Ndonëse ishte në pjesën më të madhe të kohës në avantazh, shkëputjen vendimtare Teuta e realizoi në çastet e fundit, për ta mbyllur me festë para publikut durrsak. Perioda e parë ishte më e mirë për bregdetarët, të cilët e mbyllën në epërsi 24-20. Në çerekun e dytë rendimenti ofensiv i të dyja ekipeve ishte më i ulët, megjithatë Vllaznia nisi të fitonte terren, madje duka kaluar edhe në avantazh 32-34, por në çastet e fundit Teuta e rimori epërsinë. Kështu perioda e dytë i fitua nga miqtë 12-24, ndërsa pjesa e parë u mbyll 36-34 në shifra të përgjithshme për bregdetarët. Teuta mori edhe çerekun e tretë 21-19, duke shkuar në 57-53 pas 30 minutash. Çereku i fundit u kthye në lojë nervash, ndërsa Vllaznia arriti të kalonte përpara 61-63, por vendësit e vendosën shpejt baraspeshën.

Më tej kishim gabime të shumta nga të dyja ekipet, por në 5 minutat e fundit Teuta e menaxhoi më mirë lojën, duke e fituar periodën 22-17 dhe të gjithë ndeshjen me 9 pikë avantazh. MVP u shpall Brandon Lawani, autor i 21 pikëve dhe 19 kërcimeve për Teutën. Në fund nuk mungoi as tensioni për vetë rëndësinë që kishte ky takim. Pas protestave të vazhdueshme gjatë lojës, trajneri i Vllaznisë, Damian Bekteshi dhe një pjesë e stafit vrapuan drejt gjyqtarëve dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës ndërhynë forcat e rendit. Tashmë do të jetë radha e finaleve, Besëlidhja-Teuta, me serinë që do të nisë të mërkurën në sallën “Feti Borova”, ndërsa lezhjanët mbeten favoritë për titullin.