Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për rikonstruksionin e bazilikës së Arapajt, ku ndodhet dhe mozaiku i famshëm me të njëjtin emër. Drejtori rajonal i kulturës kombëtare, Ermion Arapi bën të ditur për “Dyrrah” se tashmë projekti për restaurimin e këtij monumenti kulture është hartuar dhe pritet vetëm momenti i akordimit të fondeve. Sipas projektit të hartuar, i cili kap vlerën 7.6 milion lekë, do të realizohet mbulimi dhe restaurimi i mozaikut si dhe do të kryhet rrethimi i bazilikës së Arapajt. Ndërhyrja në këtë monument kulture ka për qëllim të rrisë numrin e vizitorëve si dhe të nxjerrë më në pah vlerat origjinale që mbart bazilika dhe mozaiku i saj. Siç bën të ditur drejtori Arapi, krahas rrethimit të bazilikës, do të ndërtohet një trotuar përgjatë murit rrethues të saj si dhe do të vendosen ndriçues për t’i dhënë objektit një pamje sa më tërheqëse për syrin e vizitorëve. Aktualisht bazilika e Arapajt është nën varësinë e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe është një monument i vizitueshëm. 

Mozaiku është mbuluar për t’u ruajtur nga agjentët atmosferikë si dhe nga dëmtimet e ndryshme. Në rastet kur grupe turistike shkojnë të vizitojnë mozaikun një punonjës i kësaj drejtorie bën zbulimin e tij dhe kryen rolin e ciceronit. Për mungesë organike dhe fondesh monumenti nuk ruhet nga roje. Duke pasur parasysh këtë fakt drejtori Arapi i lëshon një apel komunës dhe Rashbullit dhe komunitetit të zonës për të ruajtur investimin që do të realizohet në këtë bazilikë. Në të njëjtën kohë Arapi kërkon që pushteti vendor të shohë mundësinë për të akorduar një fond të përvitshëm për mirëmbajtjen e këtij monumenti. Me fondet aktuale që ka në dispozicion kjo drejtori nuk mund të garantojë as ruajtjen e objektit dhe as mirëmbajtjen e tij të vazhdueshme. Muret më të vjetra të Bazilikës, i përkasin periudhës së Justinianit (shek. VI) dhe që nga ajo kohë e deri në ditët tona, kodrat e Shën Mëhillit, konsiderohen si vend i shenjtë. Aty janë gjetur edhe tyrbe, që do të thotë se edhe në kohën e pushtimit osman ky vend ka funksionuar si faltore. Mozaiku i kësaj bazilike është zbuluar në tetor të vitit 1981 nga studiuesi Sali Hidri dhe bashkëshortja e tij Hava. Mozaiku është një skulpturë plastike dekorative, me përmasa 66×29 dhe është një punim tepër fin.