TIRANE – Ministria e Financave do të nënshkruajë një marrëveshje prej 31 milionë eurosh me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD). Marrëveshja e huasë është pjesë e financimit të Bankës Botërore për Projektin e Burimeve Ujore dhe Ujitjes.

Sipas Ministrisë së Financave për këtë projekt do të akordohet dhe një financim me grant nga qeveria Suedeze (SIDA) me shumën 5 milionë USD. Kostoja totale e projektit është 45 milionë USD, pa përfshirë TVSH-në dhe kostot lokale. Këto kosto do të mbulohen nga qeveria Shqiptare dhe mendohet të jenë rreth 9 milionë USD.

Projekti i ujitjes ka si qëllim krijimin e kuadrit strategjik për menaxhimin e burimeve ujore në nivelin kombëtar dhe në basenet e lumit Drin–Bunë dhe Seman.

Sipas Ministrisë së Financave, projekti është ndarë në katër faza; rehabilitimi i digave dhe i sistemeve të ujitjes dhe kullimit; mbështetja Institucionale për ujitjen dhe kullimin; mbështetja institucionale për menaxhimin e integruar të burimeve ujore dhe mbështetja për zbatim.