Raporti i fundit i Bankës Botërore thekson se ekonomia shqiptare do të rritet me 7.2% këtë vit, pas tkurrjes që pësoi në 2020.

Aktiviteti ekonomik është rikthyer në vitin 2021 dhe Prodhimi I Brendshëm Bruto parashikohet të rritet me 7.2%, i nxitur nga sektori i ndërtimit dhe aktiviteti i rindërtimit të pasojave të tërmetit.

Banka Botërore referon se perspektivat ekonomike mbeten të pasigurta pas rritjes së infektimeve me koronavirus, ndaj ashpërsimi i masave anti-Covid do të ushtrojnë presion mbi aktivitetin ekonomik dhe punësim, veçanërisht në shërbime dhe prodhim.

Qeveria plotësoi me sukses nevojat e saj për financim duke emetuar Eurobondin në 2020 dhe planifikon ta përsërisë edhe këtë vit, duke ushtruar presion për rritjen e mëtejshme të borxhit publik.

Edhe pse rritja ekonomike ishte mesatarisht 3,3% në vit gjatë 2015-2019, produktiviteti  ka mbetur në vend dhe ekonomia dominohet nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Ekonomia shqiptare ka treguar shenja inkurajuese të rimëkëmbjes në vitin 2021. Besimi i konsumatorëve, kërkesa e jashtme dhe stimuli fiskal mbështeti rritjen.

Ndërtimi udhëhoqi rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e 2021 dhe pritet të mbetet i fortë, falë rindërtimeve të reja dhe projekteve infrastrukturore. Ndërkohë çmimet e ushqimit dhe naftës e ushtruan presion mbi inflacionin mesatar duke e çuar në 1.8% në tremujorin e dytë, nga 0.9% në tremujorin e parë./ Klan News