Në një kohë që qeveria shqiptare pret të mbyllë me sukses privatizimin e Albpetrolit Banka Botërore rekomandon ekzekutivin shqiptar që t’i përdorë 850 milion eurot për uljen e borxhit publik dhe shlyerjen e borxhit ndaj sektorit privat.
“Nëse privatizimi i Albpetrolit do të mbyllet me sukses, siç e besojmë, këto para duhet që të përdoren me zgjuarsi dhe duhet të shkojnë për uljen e borxhit, por edhe për shlyerjen e borxhit ndaj sektorit privat”,- tha drejtoresha e BB-së, për Europën juglindore, Jane Armitage. Sipas të dhënave që ka kjo bankë, në mungesë të shifrave të sakta, ky borxh mund të jetë sa 1-2% e PBB-së.
“Situata është më e vështirë dhe e rrezikshme sesa tregojnë numrat, pasi, sikurse e thashë dhe më herët, një nga shqetësimet që kemi ne si Bankë Botërore është ai lidhur me pagesat e detyrimeve të prapambetura të sektorit privat, si ato që lidhen me rimbursimin e TVSH-së, por edhe me pagesën e sipërmarrësve që kanë kontrata të investimit publik. Ne nuk kemi shifra të sakta për këtë, por mendojmë se mund të jetë diku tek 1-2% e PBB-së”,- tha Armitage. Kjo sipas saj mund të ketë krijuar një efekt zinxhir që reflektohet tek kreditë e këqia. Pamundësia e sektorit privat për të marrë lekët nga qeveria e ka ngritur nivelin e kredive të këqia në masën 22%.
“Ekziston një problem për faturat e papaguara të qeverisë dhe gjendjen financiare të sektorit privat, e cila sigurisht pastaj çon edhe në pamundësinë që kanë subjektet e sektorit privat të shlyejnë kreditë e marra nga bankat. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht pse kreditë e këqia janë rritur vitet e fundit duke arritur mbi 20% të portofolit”,- tha përfaqësuesja e BB-së.