Bashkimi Evropian tha të enjten se qeveria e Kosovës duhet të hedhë hapa shtesë për uljen e tensioneve në komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe se blloku është i gatshëm të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë nëse ajo nuk ndërmerr veprime në këtë drejtim.

Duke komentuar letrën që dhjetëra ligjvënës euro-perëndimorë u dërguan zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i bllokut Peter Stano, tha se politikën e jashtme të Bashkimit Evropian e përcaktojnë vendet anëtare të tij.

“E tëra që mund të them sa i takon kësaj çështjeje të ngritur nga 56 nënshkrues, parlamentarë nga disa vende anëtare dhe disa vende të treta, është se politikat e Bashkimit Evropian vendosen njëzëri nga 27 vendet anëtare, siç është e përcaktuar dhe siç kërkohet nga vet qeveritë e tyre. Kemi mijëra e mijëra parlamentarë në Bashkimin Evropian kështu që pozicioni dhe veprimet e Bashkimit Evropian rreth politikës së jashtme përcaktohen unanimisht nga vendimet e 27 qeverive”, tha zoti Stano.

Letra e nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë kërkon diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës, ndërsa thekson mungesën e trysnisë ndaj Serbisë pas tensioneve në veri të Kosovës.

Zoti Stano tha se qasja e Bashkimit Evropian është e paanshme.

“Ajo që kemi bërë më së fundi në dritën e përshkallëzimeve që ndodhën është vendosja e disa masave kundër qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë për të vepruar në një mënyrë evropiane drejt shtensionimit dhe marrjes së hapave të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha zoti Stano duke theksuar se “nëse vendet anëtare kërkojnë diçka të tillë ne do të vendosim masat e nevojshme edhe kundër Serbisë nëse pra këto vende anëtare vlerësojnë se në kushtet dhe kontekstin aktual të krizës së fundit Serbia nuk po bën asgjë për të ulur tensionet”, tha ai.